Avokati i Popullit konstaton cenim të të drejtave të njeriut në lagjen “Kalabria”, kërkon ndërhyrje urgjente nga Komuna e Prishtinës
Punimet e papërfunduara të kolektorit të kanalizimit në rrugën “Rexhep Krasniqi” në lagjen “Kalabria” kanë shndërruar këtë zonë të banuar në një vatër të hapur infeksioni dhe rrezik serioz për shëndetin publik. Kështu konstaton raporti zyrtar i Institucionit të Avokatit të Popullit, i publikuar më 29 tetor 2026 dhe i adresuar drejtpërdrejt te kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Në këtë dokument, Avokati i Popullit vlerëson se vazhdimi i kësaj gjendjeje përbën cenim të drejtpërdrejtë të të drejtave kushtetuese të banorëve për respektimin e jetës private, familjare dhe të banesës, si dhe bie ndesh me detyrimet ligjore të Komunës për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik.
Gjetjet e IKShPK-së dhe alarmi për shëndetin e qytetarëve
Hetimi i Avokatit të Popullit ka nisur në gusht të këtij viti pas ankesës së një banoreje të lagjes, e mbështetur edhe nga 17 banorë të tjerë. Sipas dokumentacionit, projekti i kolektorit kishte nisur rreth dy vjet më parë, por punimet janë pezulluar për shkak të ngecjes në procedurat e shpronësimitPër të verifikuar nivelin e ndotjes, me kërkesë të IAP-së, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) realizoi dy kontrolle në terren në shtator 2026. Raporti i IKShPK-së konstaton një gjendje të rënduar mjedisore:
Kanali i kolektorit është plotësisht i zbuluar dhe shërben si pikë shkarkimi direkt për ujërat e zeza të objekteve banesore përreth.
Në zonë janë grumbulluar mbeturina urbane dhe mbetje të ngurta që bllokojnë rrjedhën e ujit, ndërsa evidentohet prani masive e brejtësve, mushkonjave, sorrave, qenve endacakë dhe shpendëve të ngordhur.
Si pasojë e erës së padurueshme dhe ndotjes, banorët nuk mund t’i shfrytëzojnë oborret e tyre dhe as t’i hapin dritaret e shtëpive, ndërsa janë raportuar edhe raste të problemeve shëndetësore që kanë kërkuar trajtim mjekësor.
Ekspozimi i drejtpërdrejtë prek edhe grupet më të ndjeshme, përfshirë fëmijët nën moshën pesë vjeç, personat mbi 65 vjeç dhe qytetarët me sëmundje kronike.
Problem i përsëritur dhe reagimi politik
Avokati i Popullit rikujton se kjo situatë nuk është e re, pasi për të njëjtin lokacion kishte nxjerrë një raport me rekomandime edhe më 21 tetor 2024. Sipas vlerësimit ligjor, fakti që problemi nuk është zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme dy vjet pas paralajmërimeve të para, dëshmon se mbrojtja e të drejtave të qytetarëve ka mbetur vetëm formale.
Rruga Press

