Lajme

Kandiq: Serbia duhet të përballet me faktet për krimet e kryera në Kosovë, shqiptarët u vranë dhe u zbuluan varreza masive

Aktivistja e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, ka kërkuar që Serbia të përballet me faktet për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se dokumentimi i tyre është i domosdoshëm për përgjegjësinë institucionale dhe sundimin e ligjit.

Në një reagim të publikuar në platformën X, Kandiq ka kritikuar mënyrën se si një pjesë e mediave serbe e trajtojnë periudhën e bombardimeve të NATO-s, duke përmendur edhe gazetën “Vreme”.

Ajo ka rikujtuar se gjatë luftës në Kosovë janë vrarë shqiptarë dhe se varreza masive janë zbuluar edhe në territorin e Serbisë, përfshirë hapësirat e kampeve policore.

Kandiq ka theksuar se këto janë fakte me të cilat duhet të përballen edhe studentët që kanë fituar zgjedhjet, si dhe ata që mund të bëhen pjesë e pushtetit të ardhshëm në Serbi.

Sipas saj, kërkesa nuk është për interpretime politike, por për pranimin e fakteve dhe marrjen e përgjegjësisë për krimet e kryera.

Lexo më shumë  Melodia nacionaliste serbe kundër Kosovës në Bruksel, Terras: Provokim i qëllimshëm ose injorancë e pastër

Ajo ka vlerësuar se në Serbi ekzistojnë aktivistë, intelektualë, studiues dhe organizata të shoqërisë civile që vazhdojnë të dokumentojnë viktimat e luftërave, pa dallim të përkatësisë kombëtare.

Në reagimin e saj, Kandiq ka rikthyer në vëmendje edhe krimet e kryera nga pjesëtarët e njësisë policore serbe “Shkorpionët”, të cilët u dënuan për ekzekutimin e gjashtë të burgosurve nga Srebrenica, si dhe për vrasjen e 14 grave dhe fëmijëve shqiptarë në Podujevë.

Ajo ka theksuar se përballja me të kaluarën dhe dokumentimi i krimeve nuk duhet të varen nga ndryshimet politike, por duhet të jenë pjesë e përgjegjësisë së institucioneve shtetërore.

Në përfundim, Kandiq ka nënvizuar se vetëm përmes dokumentimit të fakteve dhe njohjes së viktimave mund të ndërtohen institucione të përgjegjshme dhe të forcohet sundimi i ligjit në Serbi.

Rruga Press

Lexo më shumë  Pse ka pllakosur zia sot në çdo fytyrë socialisti përpara Ramës: Frikë apo prekja e fundit?
YouTube player