KryesoreLajme

PE ngre alarmin për Shqipërinë: Pushteti i përqendruar, administrata e politizuar dhe drejtësia ende me sfida

Parlamentit Europian ngre shqetësime për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, duke evidentuar problematika që lidhen me përqendrimin e pushtetit, politizimin e administratës publike dhe sfidat në sistemin e drejtësisë.

Në një studim analitik për ecurinë e Shqipërisë dhe Malit të Zi drejt integrimit europian, PE vlerëson progresin në negociata, por thekson se mbeten problematika në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësinë e institucioneve dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.

Negociatat dhe objektivi i vitit 2027

Shqipëria vlerësohet për ritmin e avancimit në procesin e negociatave dhe angazhimin politik për integrimin europian. Pas hapjes së negociatave në korrik 2022, vendi arriti të hapë të gjashtë grupkapitujt gjatë viteve 2024-2025.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ishte përmbushja e kritereve të ndërmjetme për grupkapitullin e parë, “Themeloret”, në maj 2026, ndërsa në korrik të këtij viti u shënua mbyllja provizore e tre kapitujve të parë.

Megjithatë, objektivi për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027  kërkon rezultate konkrete në zbatimin e reformave, jo vetëm avancim në procesin teknik.

SPAK vlerësohet, por PE kërkon rezultate përfundimtare

Reforma në drejtësi e vitit 2016 dhe krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë konsiderohen ndër zhvillimet më të rëndësishme të Shqipërisë në kuadër të integrimit europian.

Në veçanti, studimi vlerëson pavarësinë institucionale të SPAK-ut dhe punën e tij në hetimin e zyrtarëve të lartë publikë dhe personave të ekspozuar politikisht.

Lexo më shumë  Mbijetesë në dyert e postës shqiptare: Pensionistët presin me orë të tëra për ‘lëmoshën’ mujore të shtetit

Megjithatë, Parlamenti Europian nënvizon se rezultatet e arritura duhet të konsolidohen, veçanërisht përmes vendimeve përfundimtare të dënimit në çështjet e profilit të lartë.

Shqetësime mbeten gjithashtu ndikimi i mundshëm politik mbi institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, si dhe efektiviteti i sekuestrimit dhe rikuperimit të pasurive të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Polarizimi politik dhe përqendrimi i pushtetit

Një tjetër problematikë e evidentuar në dokument lidhet me funksionimin e demokracisë dhe marrëdhëniet mes mazhorancës dhe opozitës.

Studimi ndalet te polarizimi i fortë politik dhe përqendrimi i pushtetit rreth ekzekutivit, të cilat ngrenë pikëpyetje mbi funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës institucionale.

Në analizë përmenden edhe shqetësimet për pluralizmin politik dhe pavarësinë e medias.

Sa i përket administratës publike, PE evidenton politizimin e strukturave shtetërore, mungesën e kapaciteteve, largimet dhe qarkullimin e lartë të punonjësve, si dhe zbatimin jo të qëndrueshëm të parimit të meritokracisë.

Sipas dokumentit, nevojitet përmirësimi i procedurave të rekrutimit, kufizimi i ndërhyrjeve politike në emërimet e niveleve të larta dhe forcimi i koordinimit institucional.

“Revolucioni i Flamingove” në analizën e Parlamentit Europian

Një vëmendje të veçantë në studim marrin edhe protestat e zhvilluara në Tiranë gjatë verës së vitit 2026, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”.

Sipas analizës, tubimet nisën si reagim ndaj një projekti zhvillimor në zonën e Zvërnecit, ku kundërshtimet lidhen me mungesën e transparencës, standardet mjedisore dhe përdorimin e pronës shtetërore.

Lexo më shumë  Reuters: Pse nuk do të zhvillohet samiti i NATO-s në Tiranë në 2027

Por protesta mori më pas përmasa më të gjera, duke u shndërruar në një reagim ndaj mënyrës së qeverisjes dhe kërkesave për respektimin e parimeve demokratike.

Dokumenti e përshkruan këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm në peizazhin politik dhe qytetar të Shqipërisë, duke e lidhur me shqetësimet për përqendrimin e pushtetit politik rreth kryeministrit Edi Rama.

Mbështetja për BE-në dhe përfitimet ekonomike

Në aspektin e politikës së jashtme, Shqipëria vlerësohet për përputhjen e lartë me qëndrimet e Bashkimit Europian, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë.

Anëtarësimi në NATO dhe orientimi euroatlantik konsiderohen gjithashtu avantazhe për pozicionin e vendit në raport me Unionin.

Një tjetër element pozitiv është mbështetja e lartë e qytetarëve për anëtarësimin në BE, e cila, sipas të dhënave të Balkan Barometer të cituara në studim, vijon të jetë mbi 80-90 për qind.

Në planin ekonomik, analiza evidenton pjesëmarrjen e Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), si dhe përfitimet nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Sipas shifrave të paraqitura në dokument, Shqipëria ka përmbushur 21 nga 41 reformat e parashikuara dhe ka përfituar pak më shumë se 200 milionë euro nga fondi potencial prej 922 milionë eurosh për një periudhë trevjeçare.

YouTube player