KryesoreLajme

Konjufca zotohet se do të adresojnë rekomandimet e deputetëve për gjetjet e Raportit të KE-së

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, është zotuar se Qeveria e Kosovës do të adresojë të gjitha rekomandimet që i dhanë deputetët e opozitës në Kuvend në lidhje me gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian.  

Por theksoi shumica e rekomandimeve kërkojnë punë të përbashkët mazhorancë – opozitë në Kuvend.
 
“Zotohemi që do të adresojmë të gjitha rekomandimet që u thanë në Kuvend. Ne i kemi ekipet që regjistrojnë gjithçka që thatë. Shumica e rekomandimeve nuk kërkojnë vetëm masa të qeverisë, por po shoh që këto kërkojnë veprime edhe në Kuvend. Sepse vetëm kur punojnë bashkë mazhoranca dhe opozita me grupet parlamentare dhe vetëm kur partitë bëhen bashkë mund të krijojmë një Raport të Progresit edhe më të mirë në vitin 2027”, ka thënë Konjufca në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit. 

Sipas Konjufcës, Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën e lidh drejtpërdrejt vonesën e reformave me jofunksionalitetin e Kuvendit dhe bllokadën politike gjatë periudhës së vlerësimit. 

Duke folur për raportin, i cili mbulon periudhën shtator 2025–shtator 2026, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Konjufca ka theksuar se gjatë kësaj periudhe Kosova ka pasur dy palë zgjedhje parlamentare dhe një palë zgjedhje komunale, ndërsa presidenti nuk ishte zgjedhur deri në tetor dhe Kuvendi kishte funksionuar për një pjesë të kufizuar të periudhës.

Lexo më shumë  Kurti: Udhëheqja e re e Serbisë ta njohë realitetin, të Kosovës shtet i pavarur. Ende nuk ka sinjale ndryshimi

Duke cituar raportin, Konjufca u shpreh se Komisioni Evropian konstaton se Kuvendi ka punuar vetëm nga mesi i shkurtit deri në fund të prillit, ndërsa Qeveria ka qenë në detyrë për pjesën më të madhe të kohës. Konjufca ka cituar raportin, sipas të cilit kjo situatë “kufizoi efektivitetin e qeverisjes dhe vonoi reformat strukturore”.

Konjufca ka thënë se raporti e lidh ngadalësimin e reformave me bllokadën politike, duke përmendur se puna për strategjinë dhe ligjin për financat publike ka ngecur për shkak të kontestit politik. Ai ka shtuar se ratifikimi i Planit të Rritjes është vonuar deri në shkurt të vitit 2026, ndërsa pakoja e ligjeve për drejtësi nuk është miratuar brenda afatit, pasi Kuvendi nuk ka qenë funksional për ta miratuar atë.

“Ky raport mbulon periudhën shtator 2025 – shtator 2026. Gjatë kësaj periudhe kemi pasur tri palë zgjedhje, dy parlamentare dhe një komunale. Ishim pa president të zgjedhur deri në tetor dhe me Kuvend jofunksional për pjesën më të madhe të kohës. Në raport, Komisioni konstaton se Kuvendi punoi vetëm nga mesi i shkurti deri në fund të prillit, derisa Qeveria ishte në detyrë për pjesën më të madhe. Sipas Raportit, kjo e kufizoi efektivitetin e qeverisjes dhe i vonoi reformat strukturore, kështu thuhet në faqe 23. Komisioni e lidh drejtpërdrejtë ngadalësimin me bllokadën, progresi i reformave në BE mbetet i pabarabartë për shkak të paqëndrueshmërisë dhe bllokadës politike. Puna për strategjinë dhe ligjin për financat publike ngeci, por citoj, për shkak të kontestit të vështirë politik. Ratifikimi i Plani i Rritjes u vonua deri në shkurt 2026 dhe pakoja e ligjeve për drejtësi nuk arriti të miratohej brenda afatit sepse s’kishte Kuvend ta miratonte atë”, ka thënë Konjufca.

Lexo më shumë  Fajtor po, burg jo/ Fytyra tjetër e SPAK me Benet Becin

Megjithatë, Konjufca ka theksuar se, sipas pasqyrës së përgjithshme të raportit, niveli i përgatitjes së Kosovës nuk ka rënë në asnjë fushë.

“Pasqyra e përgjithshme e Raportit tregon se niveli i përgatitjes nuk kishte rënë në asnjë fushë. Në luftën kundër krimit të organizuar, niveli i përgatitjes thuhet se është ngritur, ndërsa progresi është vlerësuar më mirë se vitin e kaluar në së paku shtatë prej kapitujve”, ka thënë Konjufca.

Rruga Press

YouTube player