KryesoreLajme

Çmimet e banesave në Tiranë shifra rekord -Për të blerë një shtëpi do punosh 17 vjet

Çmimet e apartamenteve në Tiranë kanë kapur shifra rekord, madje më shumë edhe se një shtëpi në vendet e Bashkimit Europian. Sipas të dhënave një person, apo edhe një familje e re e ka të pa mundur të blejë një banesë me kursimet nga puna. Ata duhet të punojnë më shumë se 17 vite për të blerë një banesë.

Për një individ, familje apo të ri që kërkon të blejë një shtëpi sot, blerja e një banese është bërë shumë më e vështirë. Çmimet e apartamenteve janë rritur me ritme shumë më të shpejta se të ardhurat e familjeve, duke e bërë gjithnjë e më të pamundur blerjen e një banese me kursimet nga puna. Një familje sot duhet të punojë vite më tepër, apo të marrë një kredi në shuma të larta, që të kenë mundësi të zotërojë një apartament. Sipas një përllogaritjeje të bërë nga “Monitor”, raporti mes çmimeve të banesave dhe të ardhurave të disponueshme për frymë në Shqipëri është rritur me 76.3% gjatë periudhës 2015–2025. Për të blerë të njëjtën banesë, sot nevojiten rreth 76% më shumë të ardhura vjetore se në vitin 2015. Për shembull, nëse dhjetë vjet më parë vlera e një apartamenti ishte e barabartë me të ardhurat e dhjetë viteve, sot do të duheshin rreth 17.6 vite të ardhura, nëse ato do të përdoreshin tërësisht për blerjen e banesës.  

Lexo më shumë  Blerja e një banese në Shqipëri, 76% më e shtrenjtë në raport me të ardhurat se para 10 vitesh, rekord në Europë

Sipas INSTAT, të ardhurat e disponueshme bruto për frymë u rritën nga rreth 429 mijë lekë në vitin 2015 në 765 mijë lekë në vitin 2025, ose me 78.4%.  Cmimet janë më shumë se trefishuar, ndërsa të ardhurat e disponueshme për frymë janë rritur me rreth 78%.  Rritja e çmimeve bëhet edhe më e prekshme nëse shihen vlerat konkrete të apartamenteve në Tiranë. Sipas të dhënave të Key Data, çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve në kryeqytet ishte rreth 860 euro për metër katror në vitin 2015. Në vitin 2020 arriti në 1,038 euro, ndërsa në vitin 2025 u ngjit në rreth 1,950 euro për metër katror, duke e mbyllur vitin në nivelin e gati 2100 euro, nga rreth 1800 në fillim të tij. Shtrenjtimi ka vijuar dhe në tremujorin e parë, duke arritur në 2140 euro për metër katror. Brenda pesë viteve të fundit, çmimi mesatar i apartamenteve në Tiranë është rritur me rreth 88%, ndërsa krahasuar me vitin 2015, rritja arrin në 127%.

Për një apartament me sipërfaqe 100 metra katrorë, vlera mesatare e llogaritur sipas këtyre çmimeve do të ishte rreth 86 mijë euro në vitin 2015, 104 mijë euro në vitin 2020 dhe 195 mijë euro në vitin 2025. Pra, një apartament i kësaj sipërfaqeje kushton sot rreth 109 mijë euro më shumë se dhjetë vjet më parë. Sipas Eurostat, në Bashkimin Europian, raporti mes çmimeve të banesave dhe të ardhurave për frymë ishte 6.8% më i lartë në vitin 2025 krahasuar me vitin 2015. Në 17 vende të BE-së ky raport u rrit, ndërsa në dhjetë vende të tjera u ul.  Në Shqipëri, rritja prej 76.3%, e përllogaritur nga “Monitor”, është më e lartë edhe se ajo e Portugalisë, vendi me rritjen më të madhe në BE. Kjo e fundit shënoi një shtrenjtim të shpejtë të çmimit të banesave, të ndikuar nga rritja e fortë e turizmit.

Rruga Press

YouTube player