Opinion/Aktualitet

Pse Rama e ka humbur pushtetin?

Nga Irena Beqiraj

Në jetën politike ekziston një moment kur pushteti fillon të humbasë shumë kohë përpara se të humbasësh zgjedhjet. Edi Rama duket se po përballet pikërisht me këtë moment , ai vazhdon të qeverisë, por nuk arrin më të prodhojë autoritet.

Hans Morgenthau, një nga mendimtarët më të rëndësishëm të realizmit politik, na kujton se pushteti nuk është thjesht aftësia për t’u imponuar të tjerëve vullnetin tënd. Pushteti i vërtetë kërkon vetëpërmbajtje, njohjen e kufijve dhe respektimin e institucioneve.

Problemi i qeverisjes së Ramës është pikërisht ky, ai e shndërroi shtetin në një zgjatim të vullnetit të tij. Ministrat i zgjedh të tillë sa të katandisen edhe në postë ekspres të mesazheve të tij, gjithë administratën e ka kthyer në instrument bindjeje dhe parlamentin në mekanizëm miratimi pa zë.

Duke dashur të kontrollojë gjithçka, Rama dobësoi vetë sistemin që drejton, sepse një shtet ku gjithçka varet nga një njeri nuk është shtet i fortë, por një shtet që ka humbur aftësinë të funksionojë në mënyrë të pavarur.

Raporti me kritikën është po ashtu një tregues i marrëdhënies toksike që ka me pushtetin. Në demokraci, opozita, media dhe protesta nuk janë pengesa për qeverisjen, janë mekanizma që i kujtojnë pushtetit se nuk është dhe nuk duhet të jetë i pakufizuar.

Rama mund të ketë ende shumicën parlamentare, por, për fatin e tij të keq, shumica nuk është çertifikatë autoriteti; mund të ketë njerëz që i binden, por kjo nuk do të thotë se njerëzit që e ndjekin besojnë te drejtimi i tij. Sondazhet e tij sot po i tregojnë se ai po qeveris mbi rrënojat e pushtetit të tij të pakufizuar.

Një lider, një burrë shteti, e kupton se pushteti është i përkohshëm, se posti nuk është pronë dhe se trashëgimia e tij politike nuk matet me sa gjatë qëndroi në zyrë, por me institucionet që lë pas. Ai përgatit edhe ditën kur nuk do të jetë më në pushtet. Rama, përkundrazi, duket se ka krijuar një marrëdhënie aq të ngushtë dhe toksike me pushtetin, saqë distancimi prej tij është bërë pothuajse i pamundur. Pushteti nuk është më thjesht instrument qeverisjeje, por është shndërruar në identitetin e tij .

Megjithëse akoma nuk e ka humbur pushtetin si funksion kushtetues, Rama ka humbur diçka shumë më të rëndësishme, autoritetin për ta ushtruar atë në emër të një interesi që shkon përtej vetes, autoritet që e humbi pikërisht sepse i lejoi vetes të ishte gjithçka.

Duke e trajtuar veten si të pandashëm nga pushteti, në intensitetin e kësaj marrëdhënieje toksike, të ngjashme me një varësi, përdori çdo mjet pa kufizim e dallim për ta mbajtur atë, duke neglizhuar një mësim të përbotshëm:

Pushteti që nuk di t’i vendosë kufij vetes, një ditë do të përballet me kufijtë që i vendos shoqëria.

Të dish të ndahesh nga pushteti do të thotë të mendosh dhe të veprosh çdo ditë, gjatë gjithë kohës që je në të, me vetëdijen se një ditë do të të duhet të jetosh pa të. Rama nuk ia bëri vetes këtë nder asnjëherë. Prandaj nuk mund të largohet nga pushteti si një udhëheqës që zgjedh të largohet, por si dikush që u detyrua të shkëputej me dhimbje a turp prej tij.

Nuk ka, dështim më të madh për një udhëheqës!\

Rruga Press

YouTube player