KryesoreLajme

Kostot e larta dhe mungesa e subvencioneve, fermerët në Fier përgjysmojnë e më tej sipërfaqet e mbjella

Çmimet e larta të naftës dhe pesticideve, cilësia e dobët e produkteve bujqësore për mbrojtjen e bimëve, si dhe mungesa e subvencioneve, po detyrojnë fermerët në fshatrat Shën Pjetër, Topojë, Seman, Seman Sektor dhe Grykë-Seman në Fier të reduktojnë ndjeshëm sipërfaqet e mbjella me grurë, elb dhe tërshërë.

Fermerët rendisin si shkaktarë kryesorë kostot e larta të prodhimit, veçanërisht çmimin e naftës, e cila ndikon drejtpërdrejt në punimin, frezimin dhe mbjelljen e tokës. Po ashtu, ata ankohen për çmimet e larta dhe cilësinë e dobët të pesticideve, ndërsa shprehen të zhgënjyer nga mungesa e subvencioneve të premtuara nga qeveria.

Lexo më shumë  Projektbuxheti i Kosovës për vitin 2027, 4.27 miliardë euro

Përveç vështirësive ekonomike, këto fshatra po përballen edhe me shpopullimin. Sipas banorëve, në shumë shtëpi kanë mbetur vetëm një ose dy persona, të cilët nuk kanë më mundësi fizike apo ekonomike të punojnë tokën. Një pjesë e fermerëve e kanë dhënë atë me qira, por edhe qiramarrësit po tërhiqen, pasi kultivimi i kulturave bujqësore nuk po u leverdis më.

Sipas fermerëve, dikur në këto zona mbilleshin rreth 1 800 hektarë me këto kultura bujqësore, ndërsa sot sipërfaqja e kultivuar ka rënë ndjeshëm. Ata pohojnë se aktualisht mbillet vetëm rreth 20% e tokës që përdorej më parë për këto produkte.

Lexo më shumë  Vulin dyshohet se provoi të arratisej në Moskë, avioni detyrohet të kthehet në Beograd

Kështu, tokat që dikur prodhonin grurë, elb dhe tërshërë po mbeten gjithnjë e më shumë djerrë, ndërsa fermerët paralajmërojnë se, pa mbështetje konkrete dhe ulje të kostove të prodhimit, braktisja e bujqësisë në këto zona do të vijojë.

Rruga Press

YouTube player