Bota

Demokrati i parë që fiton një garë që nga viti 1932 për Senatin në Kansas. Një shtet konservator dhe kryesisht rural

Demokrati Adam Hamilton fitoi një vend në Senatin e SHBA-së nga Kansas-i të martën, sipas parashikimeve të mediave amerikane.

Ai mundi republikanin në detyrë, Roger Marshall, duke u bërë demokrati i parë që fiton një garë për Senatin në këtë shtet konservator dhe kryesisht rural, që nga viti 1932.

Ky rezultat është një goditje për ish-presidentin Donald Trump, i cili fitoi në Kansas me një diferencë prej më shumë se 10 pikësh në secilën nga tri fushatat e tij presidenciale.

Javën e kaluar, ai udhëtoi drejt këtij shteti – vizita e tij e parë atje që nga viti 2018 – për të kërkuar mbështetje për Marshall.

Hamilton, pastor i një kishe të madhe metodiste, i cili deri vonë ishte i regjistruar si republikan, kishte menduar të kandidonte si i pavarur përpara se të hynte në garë si demokrat.

Lexo më shumë  Ushtarët britanikë do të mund t’u kundërpërgjigjen forcave ruse nëse sulmohen gjatë misionit në Ukrainë

Ai zhvilloi fushatë si një politikan i moderuar, duke mbajtur distancë nga drejtuesit kombëtarë të partisë dhe duke u zotuar se nuk do ta mbështeste Chuck Schumer-in si udhëheqës të shumicës në Senat.

Ai gjithashtu kritikoi mënyrën se si administrata e ish-presidentit Joe Biden e trajtoi çështjen e imigracionit.

Hamilton i përqendroi kritikat e tij kryesisht ndaj Marshallit dhe republikanëve në Kongres, e jo ndaj ish-presidentit.

“Unë nuk po kandidoj kundër ish-presidentit Trump”, tha ai gjatë debatit të tyre të fundit.

Nga ana tjetër, Marshall u tha votuesve se mbështetja për të nënkuptonte mbështetje për agjendën e ish-presidentit.

Të dy kandidatët u përplasën gjithashtu lidhur me tarifat. Hamilton bëri thirrje për heqjen e tarifave të vendosura nga Trumpi dhe kërkoi që çdo tarifë e re të miratohej nga Kongresi, ndërsa Marshall këmbënguli se ato po jepnin rezultate.

Lexo më shumë  Analiza e BBC: Fitorja e demokratëve në ShBA, nënkupton ndryshim të politikave ndaj Moskës

Shumë fermerë në Kansas, të cilët tashmë po përballeshin me kosto të larta të karburantit – të nxitura nga lufta në Iran – janë goditur nga tarifat hakmarrëse që prekin eksporte të tilla si soja dhe gruri. Blegtorët u zemëruan nga një plan i Trump-it për të lehtësuar tarifat mbi importet e mishit të viçit.

Në qarkun rural Neosho, ku dy vite më parë 73 për qind e votuesve mbështetën Trump-in, në javët e fundit të fushatës u shfaqën tabela mbështetëse për Hamiltonin.

“Mendoj se njerëzit thjesht kanë nevojë dëshpërimisht për pak normalitet”, tha për AFP-në, Travis Falstad, 53 vjeç, një votues me prirje të majta në këtë qark, përpara votimit. 

Rruga Press

YouTube player