KryesoreLajme

Si po del bllof Rama me sulmin ndaj studentëve

Një student 20-vjeçar i Fakultetit të Mjekësisë u bë të premten target i një linçimi publik nga kryeministri Edi Rama, i cili e akuzoi se ishte një person me precedentë penalë.

Emri i Jon Sinoimerit figuronte në një listë të gjatë me 45 emra, për të cilët Rama pretendoi se nuk ishin studentë, por persona me precedentë penalë, të cilët kishin ushtruar dhunë gjatë protestave të ditëve të fundit “nën maskën” e studentit.

Duke publikuar foton e studentit vetëm me një shirit të zi që mbulonte sytë, Rama tha: “vazhdojmë me J.S: 20 vjeç, por jo student, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, precedent kriminal i regjistruar.

Studenti Jon Sinoimeri i quajti akuzat ndaj tij të pavërteta duke folur nga protesta e së premtes,  ku qindra studentë dhe pedagogë të Mjekësisë po marshonin drejt Ministrisë së Arsimit.

“Zoti kryeministër paska dalë sot dhe më ka akuzuar për prodhim dhe shitje narkotikësh, por unë jam student i Mjekësisë, e kam të shkruar këtu dhe s’e di se çfarë legjendash me mbret shpik ky,” tha Sinoimeri për mediat, duke treguar gjithashtu listën e tij të notave si student i ekselencës me një mesatare 10.

Lexo më shumë  SPAK godet pasuritë e kartelit “Çopja-Çela”, sekuestron një kompani dhe 25 automjete

“Këto janë përpjekjet e fundit të diktatorit,” shtoi ai.

Sinoimeri shtoi se për herë të parë në polici kishte qenë më 13 tetor, pasi policia e kishte shoqëruar gjatë protestës dhe kishte qëndruar në komisariat për 7 orë e gjysmë. Ai shprehu mosbesim tek institucionet për të kërkuar të drejtën e tij ndaj akuzave publike të pabazuara.

Kryeministria nuk arriti të vinte në dispozicion prova mbi akuzat publike të kryeministrit Edi Rama për rastin konkret, por e konsideroi fjalën e tij si ‘provë’.

“Provat i tha kryeministri në daljen e tij,” tha për BIRN drejtoresha e Agjencisë për Media dhe Informim, Manjola Hasa.

Ky nuk është rasti i parë që Kryeministri Rama përdor strategjinë e linçimit publik ndaj protestuesve. Ai e bëri këtë edhe gjatë muajit qershor, kur protestat paqësore, të inicuara si kundërshtim ndaj një projekti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, ishin në kulmin e tyre.

Por, ekspozimi publik i fotove të protestuesve dhe akuzat ndaj tyre për vepra penale ka sjellë reagim të shoqërisë civile, që e quajnë këtë një akt antiligjor të kryeministrit.

“Edhe policia kur i arreston të dyshuarit për krime, edhe për vrasje, e ka të ndaluar t’i ekspozojë fotot, pasi deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës, ai/ajo prezumohet i pafajshëm,” shkruan gazetari Mentor Kikia, i cili e quan veprimin e Ramës një akt penal në një reagim publik në Facebook.

Lexo më shumë  Eurodeputetja Strolenberg përgënjeshtron Ramën: Nuk ju ndalohet hyrja në BE!

Edhe Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit për Studimeve Politike, në një qëndrim të publikuar në Facebook, e quan një akt penal veprimin e kryeministrit, ndërsa rikthen në vëmendje që në karrierën e tij si kryeministër ka kandiduar dhe zgjedhur si përfaqësues në Kuvend apo në pushtetin vendor persona të dënuar nga drejtësia.

“I njëjti sot bëri tablonë sinoptike/ fletërrufe dhe gjyq publik kundër qytetarëve që dolën në protestë kundër korrupsionit, midis të cilëve edhe ky i ri: imagjinoni jetën e djalit 20 vjeçar, student ekselence, mjek, dhe kryeministri i vendit të tij e denigron me të pavërteta live në të gjitha TV, militantët mbështetës të qeverisë vijojnë denigrimin në portale dhe mediat online,” shkruan Krasniqi.

Ai apelon që institucionet e pavarura, komisionerët për të drejtat e njeriut dhe SPAK të nisin hetime serioze kundër akteve të tilla. /reporter.al

Rruga Press

YouTube player