Këngëtarja e njohur reagim të fortë ndaj Ramës, Anjeza Shahini: Shoh një shëmbëlltyrë diktature, më mirë ik si kryeministër i dështuar se si diktator
Këngëtarja e njohur Anjeza Shahini i është bashkuar zërave kritikë të artit dhe kulturës që po dënojnë dhunën shtetërore dhe qëndrimin e ekzekutivit ndaj protestave rinore në kryeqytet. Përmes një reagimi publik, Shahini ka goditur ashpër narrativën e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar reagimin e policisë si të papranueshëm për një vend demokratik.
Këngëtarja theksoi se vendimi për të reaguar erdhi pasi pa përdorimin e gjuhës së forcës nga kreu i qeverisë:
“E bëj këtë shkrim pasi pashë kryeministrin që po pretendon të ndalojë dhunën nëpërmjet gjuhës së dhunës dhe nëpërmjet gjuhës së kërcënimit — kjo është e papranueshme. Nëse e bën Meloni është po keq, nëse e bën Franca edhe më keq. Demokracia ka kosto dhe përgjegjësi, nuk është zgjidhje kërcënimi. Nuk e fsheh, krijova shpresë se do tregoje lidership, por iku edhe kjo shpresë.”
Në analizën e saj për situatën në terren, Shahini hodhi poshtë pretendimet e autoriteteve për huliganizëm nga ana e protestuesve, duke drejtuar gishtin nga veprimet e dhunshme të policisë nëpër lagjet e Tiranës:
“Nuk shoh dhunë nga rinia shqiptare, shoh revoltë dhe protestë legjitime në një vend të ashtuquajtur demokratik. Shoh dhunë nga forcat e policisë. Nuk shoh një shtet të organizuar demokratik, por gati një shëmbëlltyrë të një regjimi diktatorial, një polici të paaftë të mbrojë qytetarët e vet, shoh një polici që nuk njeh të drejtat themelore të njeriut, shoh një polici që vrapon nëpër rrugica të Tiranës për të rrahur djem të rinj, shoh një polici që përdor gjuhë të pisët, që ushtron dhunë mbi gra, e që krijon panik dhe terror tek çdo kalimtar apo biznes.”
Artistja i drejtoi një mesazh të prerë kryeministrit Rama, duke i kërkuar të ndalë shpenzimet për vëzhgimin e të rinjve dhe të reflektojë mbi dështimin e modelit të tij qeverisës:
“Shoh një kryeministër që tenton të joshë me karizmën e tij të vjetëruar, një kryeministër kryeneç të cilit i këshilloj të veprojë me përgjegjësi, të mos harxhojë para në teknologji për të kapur kalamaj me kapuç, por të investojë në rritjen e ekonomisë sepse ku ka varfëri, ka krim, ose të largohet si një kryeministër i dështuar më mirë se si një diktator.”
Në përmbyllje të reagimit të saj, Shahini nënvizoi se përgjegjësia e pushtetit matet me respektin ndaj çdo zëri opozitar e qytetar në shesh:
“Lëri popullit që të votoi dhe të rivotoi të paktën një grimcë të magjepsjes që i dhurove nëpërmjet atleteve dhe kollareve me ngjyra. Nëse turma është më e vogël se numri i atyre që të votuan, kjo nuk të bën më të fortë por më të përgjegjshëm. Nëse shpërfill një turmë të vogël, qoftë edhe një njeri të vetëm, ke shpërfillur gjithkënd.”
Rruga Press

