Reporterët pa Kufij ngre alarmin: Dhunë dhe intimidim ndaj gazetarëve gjatë protestave në Shqipëri
Të paktën 12 gazetarë dhe punonjës të medias u sulmuan fizikisht teksa raportonin për protestat në Shqipëri, në periudhën 13–19 tetor. Shumica e këtyre rasteve përfshinin punonjës të policisë. Reporterët pa Kufij (RSF) dënojnë dhunën dhe kërkojnë ndëshkimin e përgjegjësve, zbatimin e masave ekzistuese për mbrojtjen e sigurisë së gazetarëve, si dhe mbikëqyrjen parlamentare të reagimit të autoriteteve.
RSF ka dokumentuar 28 raportime për dhunë, intimidim dhe përpjekje për të penguar raportimin e lajmeve, që kanë prekur të paktën 23 profesionistë të medias në Shqipëri, gjatë periudhës 13–19 tetor. Të paktën 10 raste përfshinin përdorim të drejtpërdrejtë të forcës fizike ndaj të paktën 12 gazetarëve, përfshirë goditje me grushte e shkelma, shtyrje dhe detyrim për t’u larguar nga zonat ku po raportonin.
Disa gazetarë raportuan gjithashtu marrjen ose përpjekjet për t’u marrë telefonat, dëmtimin e pajisjeve të tyre të punës, si dhe lëndime të shkaktuara nga mjetet e policisë për kontrollin e turmave.
Përveç kërcënimeve të marra gjatë raportimit në terren, gazetarët përballen edhe me intimidimin nga kryeministri i Shqipërisë, një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian (BE). Për shembull, më 18 tetor, kryeministri Edi Rama akuzoi pa bazë pronarin e News24 se po fabrikonte rrëfime për revoltën studentore me qëllim rrëzimin e qeverisë.

“Megjithëse situata lidhur me protestat studentore është e tensionuar, gazetarët duhet të jenë në gjendje të dokumentojnë sjelljen e policisë pa u rrahur, pa u larguar me forcë, pa u ndaluar apo pa u penguar në forma të tjera që të filmojnë.
Nëse profesionistët e medias respektojnë udhëzimet e ligjshme të policisë, efektivët duhet të garantojnë të drejtën po aq të ligjshme të gazetarëve për të raportuar. Autoritetet duhet të zbatojnë udhëzimet ekzistuese për sigurinë e gazetarëve dhe të ndëshkojnë çdo sjellje agresive nga ana e punonjësve të policisë dhe protestuesve.
Ne i bëjmë gjithashtu thirrje kryeministrit Edi Rama të ndalojë intimidimin e medias për raportimin e protestave, pasi ky është misioni i saj. I bëjmë thirrje Parlamentit shqiptar të shqyrtojë sjelljen e dhunshme të policisë, ndërsa BE-së i kërkojmë të vlerësojë se si po zbatohen në praktikë angazhimet e vendit kandidat për lirinë e medias.”
Pjesë nga raporti
Sipas raportit të RSF-së, gjatë periudhës 13–19 tetor janë dokumentuar 28 raste të dhunës, frikësimit dhe përpjekjeve për të penguar raportimin, që prekin të paktën 23 profesionistë të medias. Të paktën 10 episode përfshijnë përdorimin e drejtpërdrejtë të forcës fizike ndaj gazetarëve, përfshirë goditje, shqelma, shtyrje dhe largim me forcë nga zonat ku po kryenin detyrën.
Përveç dhunës fizike, disa gazetarë kanë raportuar sekuestrimin ose tentativat për sekuestrimin e telefonave, fshirjen e pamjeve filmike dhe dëmtimin e pajisjeve të punës. Gjithashtu, janë raportuar lëndime të shkaktuara nga mjetet e përdorura nga policia për kontrollin e turmave.
Drejtori i Byrosë së RSF-së në Pragë, Pavol Szalai, theksoi se gazetarët duhet të jenë në gjendje të dokumentojnë veprimet e policisë pa u dhunuar apo penguar në ushtrimin e profesionit të tyre.
“Gazetarët duhet të jenë në gjendje të dokumentojnë sjelljen e policisë pa u rrahur, shtyrë, ndaluar ose penguar në ndonjë mënyrë tjetër nga filmimi”, deklaroi Szalai.
Ai i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të ndalojë deklaratat që, sipas organizatës, kontribuojnë në frikësimin e medias për raportimin e protestave. RSF kërkoi gjithashtu që Bashkimi Evropian të vlerësojë zbatimin në praktikë të angazhimeve të Shqipërisë për lirinë e medias, në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Sulmet ndaj gazetarëve gjatë protestave
Sipas të dhënave të bëra publike nga RSF dhe organizatat e gazetarëve, më 18 tetor u raportuan disa raste dhune ndaj punonjësve të medias.
Fotoreporteri Hameraldi Agolli, bashkëpunëtor i Associated Press, u ndalua me forcë nga policia, ndërsa gazetari i News24, Renaldo Salianji, u godit fizikisht. Gazetari i SYRI TV, Taulant Kopliku, deklaroi se një efektiv e kishte goditur në shpatull dhe i kishte marrë telefonin, i cili iu kthye me pamjet e fshira.
Po ashtu, gazetari Marshi Korreshi u godit në shpinë me një helmetë dhe u shty ndërsa raportonte drejtpërdrejt për një zjarr pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3. Gazetari Elkier Bushkolaj u plagos në këmbë nga një predhë gome, ndërsa Juljan Hoxha dhe fotoreporteri Felix Bilani raportuan se ishin goditur nga efektivët e policisë.
Në listën e rasteve të raportuara përfshihet edhe gazetarja e Klan News, Glidona Daci, e cila, sipas Shoqatës së Gazetarëve të Shqipërisë, u godit me gurë në një incident që organizata ia atribuon efektivëve të policisë.
Agjencia Reuters raportoi gjithashtu se dy nga gazetarët e saj u goditën nga fishekë gome gjatë përleshjeve në Tiranë më 17 tetor.
Një tjetër rast i rëndë ishte ai i Izmir Akullit, kryeredaktorit të portalit Dosja.al, i cili u dërgua në spital pas dhunës fizike të ushtruar ndaj tij më 13 tetor, pranë Bankës së Shqipërisë. Sipas dëshmisë së publikuar prej tij, disa efektivë e goditën me grushte dhe shqelma ndërsa po filmonte ndërhyrjen e policisë ndaj një studenti.
Ndërkohë, mbrëmjen e 19 tetorit, gazetari i News24, Osman Stafa, dhe punonjës të tjerë të medias u penguan nga policia të ndiqnin dhe filmonin shoqërimet e protestuesve në rrugicat pranë Rrugës së Dibrës në Tiranë.
RSF kërkon zbatimin e masave për sigurinë e gazetarëve
Sipas një deklarate të Rrjetit SafeJournalists të publikuar më 18 tetor, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kishte nisur shqyrtimin e pretendimeve për sjellje të pahijshme dhe shtatë efektivë ishin pezulluar. Megjithatë, nuk është bërë e qartë nëse këto masa lidhen drejtpërdrejt me rastet e dhunës ndaj gazetarëve.
Më 14 tetor, organizatat për lirinë e medias dhe të shoqërisë civile, mes tyre edhe RSF, kërkuan zbatimin e plotë të Udhëzuesit të Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve, të miratuar në maj 2025.
Organizatat kërkuan hetime të pavarura për rastet e dhunës dhe pengimit të raportimit, si dhe një seancë të posaçme dëgjimore në Parlamentin shqiptar. Sipas RSF-së, edhe pas këtij apeli janë raportuar incidente të tjera.
Shqipëria renditet në vendin e 83-të mes 180 vendeve dhe territoreve në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2026, të publikuar nga Reporterët pa Kufij.
Rruga Press

