KryesoreLajme

“Koha jote po mbaron, Rama!”/ Le Figaro jehonë revoltës antiqeveritare në Shqipëri: 167 të arrestuar, kryeministri refuzon dorëheqjen

Prestigjiozja franceze Le Figaro i ka kushtuar vëmendje protestave masive në Shqipëri, duke e cilësuar kryeministrin Edi Rama si shënjestrën kryesore të një lëvizjeje të madhe proteste që ka përfshirë vendin. Sipas medias franceze, protestuesit kanë kërkuar largimin e tij nga pushteti, ndërsa kreu i qeverisë ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes.

Në artikullin e saj, Le Figaro përshkruan përplasjet e ashpra në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku për orë të tëra as policia dhe as protestuesit nuk kanë qenë të gatshëm të tërhiqen. Bulevardi, ku ndodhen edhe zyrat e Kryeministrisë, është kthyer në një nga pikat kryesore të përballjes mes qytetarëve dhe forcave të rendit.

“Koha juaj është afër”, citohet të kenë brohoritur protestuesit, mes të cilëve kishte shumë studentë universitetesh dhe nxënës të shkollave të mesme, përfshirë edhe të rinj në moshë të vogël.

Lexo më shumë  32 raste dhune policore të dokumentuara: Letra që i kërkon llogari institucioneve

Përplasjet me policinë dhe bilanci i protestave
Media franceze ndalet edhe te përshkallëzimi i situatës në rrugët e kryeqytetit. Sipas artikullit, policia kundër trazirave iu përgjigj hedhjes së gurëve, fishekzjarrëve dhe koktejeve Molotov me topa uji dhe gaz lotsjellës. Në terren janë përdorur edhe plumba gome.

Duke iu referuar deklaratave të kreut të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Le Figaro shkruan se përdorimi i plumbave të gomës është konfirmuar, por është cilësuar si i kufizuar. Sipas shifrave të publikuara në artikull, 167 persona janë arrestuar që nga fillimi i protestave, ndërsa 388 persona po përballen me akuza penale. Nga ana tjetër, janë raportuar 132 punonjës policie të plagosur dhe shtatë efektivë të pezulluar për përdorim të tepruar të forcës.

Lexo më shumë  Rama që në pikë të mëngjesit josh policët: 2500 euro për të gjithë ata që janë në front! Në 1 janar rrisim edhe pagat

“Gjithë jetën time kam njohur vetëm Edi Ramën”
Artikulli përcjell edhe dëshminë e një protestuesi 25-vjeçar, i cili shpreh pakënaqësinë ndaj kryeministrit dhe viteve të tij në pushtet. “Jam 25 vjeç. Gjithë jetën time e kam njohur vetëm Edi Ramën: si kryetar bashkie të Tiranës ose si kryeministër që nga viti 2013. Atë dhe punët e tij të errëta”, citohet të ketë thënë protestuesi për median franceze. Përmes këtij raportimi, Le Figaro pasqyron tensionet e krijuara në Shqipëri, ku protestat kanë vënë në qendër të kritikave kryeministrin Edi Rama, ndërsa përplasjet me policinë dhe bilanci i arrestimeve e të plagosurve kanë shënuar një tjetër dimension të krizës së krijuar në vend.

Rruga Press

YouTube player