Bota

Mujanoviq: Serbia nuk është partnere e Perëndimit, por pikë mbështetëse për Rusinë dhe Kinën

Politologu boshnjako-amerikan, Jasmin Mujanoviq, ka kërkuar që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta rishikojnë qasjen ndaj Serbisë, duke vlerësuar se politika e Beogradit nën udhëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiq nuk përputhet me interesat e sigurisë së Perëndimit.

Mujanoviq ka thënë në një intervistë se Serbia nuk duhet të trajtohet si partnere e Perëndimit, pasi, sipas tij, vendi po shërben si pikë mbështetëse për interesat e Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor.

“Kjo Serbi nën Aleksandar Vuçiqin nuk është mik, nuk është aleat dhe nuk është partnere. Ajo është një pikë kalimi për kundërshtarët tanë, domethënë për kundërshtarët e Perëndimit”, ka deklaruar Mujanoviq.

Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja duhet të kenë një qasje më të kujdesshme dhe më realiste ndaj Beogradit, duke marrë parasysh ndikimin e tij në sigurinë rajonale.

Lexo më shumë  Kallas mirëpret armëpushimin energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës, por skeptike nëse Moska do ta respektojë atë

Mujanoviq ka theksuar se Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi strategjike, ku zhvillimet politike dhe ndërhyrjet e jashtme mund të ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin e vendeve të rajonit.

Mujanoviq: Serbia po afrohet me Rusinë dhe Kinën

Duke folur për orientimin e politikës së jashtme të Serbisë, Mujanoviq ka vënë në pikëpyetje pretendimin se Vuçiqi po përpiqet të ruajë një ekuilibër mes Perëndimit, Rusisë dhe Kinës.

Sipas tij, marrëdhëniet e Beogradit me Moskën dhe Pekinin tregojnë se Serbia nuk po ndjek një politikë të baraspeshuar ndërmjet këtyre fuqive.

“Vuçiqi nuk ulet në dy karrige. Ai ulet në një karrige, e cila është e kthyer veçanërisht nga Rusia dhe Kina”, ka thënë Mujanoviq.

Ai ka vlerësuar se ndikimi rus në Serbi është veçanërisht i madh në fushën e inteligjencës dhe sigurisë, ndërsa Kina ka zgjeruar praninë e saj përmes projekteve të mëdha infrastrukturore dhe përfshirjes në sektorët e sigurisë dhe mbikëqyrjes.

Lexo më shumë  Burnham: Rusia ndërhyri në referendumin e Brexit-it, Franca dhe Gjermania të kujdesshme ndaj Moskës

Sipas politologut, këto zhvillime tregojnë se orientimi i Beogradit duhet të analizohet përtej deklaratave të tij publike për integrimin evropian dhe marrëdhëniet me Perëndimin.

Mujanoviq ka theksuar se politika e Serbisë ndaj Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi duhet të shihet edhe në kontekstin e bashkëpunimit të Beogradit me Moskën.

Ai ka deklaruar se Serbia vazhdon të ndjekë një politikë armiqësore ndaj disa prej shteteve të rajonit dhe ka pretenduar se strukturat serbe dhe ruse të inteligjencës bashkëpunojnë ngushtë në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë kontekst, ai ka kërkuar që Perëndimi ta trajtojë sigurinë e rajonit si çështje me rëndësi strategjike dhe të rishikojë mënyrën se si i vlerëson veprimet e Serbisë nën udhëheqjen e Vuçiqit.

Rruga Press

YouTube player