KryesoreLajme

Zhupa: Kalaja e Krujës peng i papërgjegjshmërisë së Gonxhes. 7 vite pas tërmetit ende e dëmtuar

Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Ina Zhupa, ka ngritur shqetësimin për zvarritjen e restaurimit të Kalasë së Krujës, e cila, vijon të jetë e dëmtuar shtatë vite pas tërmetit.

Zhupa ka kritikuar Ministrinë e Kulturës dhe ministrin Blendi Gonxhja për mungesën e ndërhyrjeve konkrete, duke kërkuar transparencë për projektet, fondet e parashikuara dhe afatet e restaurimit. Ajo thekson se Kalaja e Krujës nuk është thjesht një monument historik, por një simbol i qëndresës shqiptare dhe i identitetit kombëtar, ndaj lënia e saj në këtë gjendje përbën një dështim në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Zhupa i ka kërkuar ministrisë të veprojë urgjentisht dhe të bëjë publike masat konkrete për shpëtimin e këtij monumenti me rëndësi të veçantë kombëtare.

Reagimi i Ina Zhupës:

Kalaja e Krujës po ngelet peng i papërgjegjshmërisë së ministrisë së kulturës. 7 vite pas tërmetit vazhdon e dëmtuar dhe e parikonstruktuar.

Lexo më shumë  BE synon marrëveshjen për klimën në COP31 për të përshpejtuar uljen e gazrave serë

Kalaja e Krujës nuk është thjesht një monument. Është simboli i qëndresës shqiptare, është historia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, është krenaria jonë kombëtare dhe një pasuri që kemi detyrimin t’ua trashëgojmë brezave të ardhshëm. Ta lësh atë të rrënohet nga neglizhenca shtetërore është një krim ndaj historisë dhe identitetit tonë kombëtar.

7 vite pas tërmetit, kur duhej të kishte përfunduar ndërhyrja për shpëtimin e kësaj pasurie të jashtëzakonshme, Kalaja e Krujës vazhdon të vuajë pasojat e dëmtimeve dhe mungesën e vëmendjes institucionale.

Sa duhet të presë ende Kalaja e Krujës që Blendi Gonxhja të kalojë nga propaganda te përgjegjësia dhe nga premtimet te veprat konkrete?

Si kryetare e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, e konsideroj të papranueshme që monumentet më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar të trajtohen si çështje dytësore, ndërsa energjia e institucioneve harxhohet për fasada, shëtitje dhe deklarata publike.

Lexo më shumë  Qiratë në Shqipëri u rritën dy herë më shpejt se mesatarja e BE-së

Ministri Blendi Gonxhja duhet t’u japë shqiptarëve përgjigje konkrete: Çfarë është bërë për restaurimin e Kalasë së Krujës? Cili është afati i ndërhyrjes? Ku kanë mbetur projektet dhe fondet e parashikuara për mbrojtjen e saj? Kush mban përgjegjësi për zvarritjen?

Trashëgimia kulturore nuk mbrohet me postime në rrjete sociale, as me vizita për fotografi. Ajo mbrohet vetëm me fonde të garantuara, ekspertizë profesionale, punë konkrete dhe llogaridhënie publike.

Ministria e Kulturës duhet të veprojë urgjentisht, të bëjë transparente gjendjen e ndërhyrjeve dhe të vendosë një afat të qartë për shpëtimin e Kalasë së Krujës.

Rruga Press

YouTube player