Bota

Ushtria e Putinit pëson humbje dramatike! Mbi 50 mijë ushtarë rusë vdiqën ose u plagosën në fushën e betejës në shtator

Forcat ruse pësuan mbi 50,000 humbje ushtarësh gjatë muajit shtator, përfshirë më shumë se 28,000 ushtarë të vrarë në fushëbetejë, bëri të ditur një zyrtar i NATO-s për Bloomberg më 11 tetor.

Shifra e shtatorit, më e larta mujore gjatë vitit 2026, përputhet në një masë të madhe me vlerësimet zyrtare të publikuara nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës, sipas të cilave Rusia pësoi 46,230 humbje personeli gjatë këtij muaji. Shtabi i Përgjithshëm ukrainas nuk ka specifikuar sesa prej këtyre humbjeve ishin me pasojë vdekjen.

Sipas zyrtarit të paidentifikuar të NATO-s, Forcat e Armatosura të Ukrainës pësuan rreth 5,000 humbje gjatë muajit shtator. The Kyiv Independent nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë shifër, pasi zyrtarët ukrainas rrallë herë komentojnë numrin e humbjeve të pësuara në fushë-betejë.

Lexo më shumë  Diplomati rus i dëbuar nga Bullgaria shfaqet në Serbi

Sipas të dhënave të Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, humbjet e personelit rus janë rritur nga 31,710 në janar në 46,230 në shtator, duke shënuar një rritje prej gati 46%.

Shkaktimi i humbjeve të mëdha në radhët e ushtrisë ruse është kthyer në një objektiv strategjik të deklaruar të Ukrainës. Në janar, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, deklaroi se Ukraina synonte të “vriste 50,000 rusë në muaj”, duke argumentuar se humbje të tilla mund të dobësonin aftësinë e Moskës për ta vazhduar luftën.

Rritja e humbjeve vjen gjithashtu në një kohë kur Rusia po përballet me presion në rritje për të zëvendësuar trupat e humbura, ndërsa vazhdon operacionet sulmuese përgjatë vijës së frontit.

Inteligjenca ukrainase ka deklaruar gjithashtu se Shtabi i Përgjithshëm i Rusisë është i përgatitur të mobilizojë rreth 300,000 persona gjatë vitit 2026 dhe 300,000 të tjerë në vitin 2027, nëse do të jetë e nevojshme.

Lexo më shumë  Gjashtë senatorë deklaratë kundër planit të Trumpit për blerjen e naftës nga Rusia, mes tyre katër republikanë

Në korrik, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Rusia kishte humbur më shumë se 1.5 milionë ushtarë të vrarë ose të plagosur që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës. Këto shifra nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, ndërsa Moska nuk publikon të dhëna të plota mbi humbjet e saj ushtarake.

Deri më 11 tetor, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi se Rusia kishte pësuar gjithsej 1,552,840 humbje personeli që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022. Kjo shifër mendohet të përfshijë ushtarët e vrarë, të plagosur, të kapur rob dhe të zhdukur.

Rruga Press

YouTube player