Bota

“Çdo shtëpi serbe ka një Ratko”, Prokuroria malazeze urdhëron marrjen në pyetje të Knezheviqit për lavdërimin e Mlladiqit

Deputeti dhe kreu i Partisë Demokratike Popullore (DNP), Milan Knezheviq, pritet të merret në pyetje nga policia në Podgoricë lidhur me deklaratat e tij publike pas vdekjes së kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq.

Sipas informacioneve jozyrtare të siguruara nga Adria Television në Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë, Knezheviq është thirrur nga policia me urdhër të këtij prokuroria dhe pritet të paraqitet për intervistim nesër.

Knezheviq shkaktoi reagime të forta pas vdekjes së Mlladiqit, kur më 27 gusht publikoi një mesazh në të cilin e lavdëroi ish-komandantin e forcave serbe të Bosnjës.

Lexo më shumë  BE-ja kërkon distancim nga Moska, Vuçiqi i premton Putinit më shumë bashkëpunim

“Lavdia është e përjetshme dhe vuajtja është e shkurtër. Çdo shtëpi serbe ka një Ratko”, kishte shkruar Knezheviq, pasi u konfirmua vdekja e Mladiçit.

Deklaratat e tij u kundërshtuan ashpër nga shoqatat boshnjake dhe organizatat joqeveritare në Mal të Zi, të cilat paraqitën kallëzime penale kundër Knezheviqit dhe Mitropolitit Metodije të Kishës Ortodokse Serbe, për deklaratat e tyre publike lidhur me Mlladiqin.

Në vend se të tërhiqej nga deklaratat, Knezheviq i falënderoi ata që kishin paraqitur kallëzimet, duke thënë se “nuk mund të kishte qenë në shoqëri më të mirë”.

Ai më pas përsëriti mesazhin e tij në nderim të Mlladiqit.

Qëndrimin e tij nuk e ndryshoi as disa javë më vonë. Në një seancë të Parlamentit të Malit të Zi, Knežević deklaroi se, për të, “Mladiçi është hero”.

Lexo më shumë  Eurodeputetja franceze heq flamurin izraelit në Parlamentin Evropian

Ratko Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, u dënua me burgim të përjetshëm nga mekanizmi i Kombeve të Bashkuara që pasoi Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Ai vdiq më 27 gusht në njësinë e paraburgimit të Mekanizmit Ndërkombëtar të Mbetur për Tribunalet Penale në Scheveningen.

YouTube player