Manxhuka: Godisni deputetët e LVV-së, ushtarët e UÇK-së, të burgosurit politik, vëllezërit e dëshmorëve. Ndërgjegja jonë politike është e pastër, si loti
Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka ka reaguar pasi protestuesit kapën dhunshëm deputetin e Lëvizjes Vetëvendosjes, Fahrush Rexhepi dhe e drejtuan drejt hapësirës së Kuvendit të Kosovës.
Manxhuka ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë gjithmonë ballëhapur, duke iu referuar kundërshtisë që nga viti 2015 për Gjykatën Speciale, derisa ka vazhduar me “e ju goditni deputetët e LVV-së, ushtarët e UÇK-së e vëllezërit e dëshmorëve”.
Manxhuka është shprehur se ndërgjegja e tyre politike është e pastër si loti.
“Ballhapur përpara secilës temë. Edhe karshi Gjykatës Speciale. Protestuam me kohë, ngritëm alarmin kur duhej, treguam me vakt. Sot, sërish ballhapur, votuam PËR në propozimin e atyre që më 2015 nuk na dëgjuan. E ju goditni! Goditni deputetët e LVV-së, ushtarët e UÇK-së, të burgosurit politik, vëllezërit e dëshmorëve. Ndërgjegja jonë politike është e pastër. Si loti”, ka shkruar Manxhuka.
Deputeti Rexhepi teksa po dilte nga hapësira e Kuvendit të Kosovës, u kap dhunshëm nga protestuesit.
Rexhepi ka një vëlla dëshmor, i cili ka qenë pjesë e Brigadës 138 “Agim Ramdani”, Njazi Rexhepi i rënë në Betejën e Koshares. Vëllai tjetër, Jonuz Rexhepi është veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndaj sulmit ka reaguar edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.
Ajo e ka quajtur të papranueshme dhe turpshme sjelljen ndaj deputetit Fahrush Rexhepi.
“Pamjet ku protestuesit e kapin për duarsh dhe e shtyjnë me forcë një deputet të Republikës së Kosovës nuk kanë asgjë të përbashkët me të drejtën demokratike për protestë. Protesta është e drejtë, kritika është e drejtë, kërkesa për llogaridhënie është e drejtë, por askush nuk ka të drejtë të përdorë forcën fizike ndaj një përfaqësuesi të zgjedhur të qytetarëve. Dhe ironia bëhet edhe më e rëndë kur viktimë e kësaj sjelljeje është Prof. Dr. Fahrush Rexhepi, profesor universitar dhe doktor i shkencave të historisë, sot deputet i Lëvizjes Vetëvendosje. Një njeri që vjen nga një familje e cila lirisë së Kosovës i ka dhënë shumë. Vëllai i tij, Njazi Rexhepi, është Dëshmor i Kombit, pjesëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, i rënë në Betejën e Koshares. Vëllai tjetër, Jonuz Rexhepi, është veteran i luftës dhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Rruga Press

