Fondet e Mbrojtjes përfunduan tek biznesi i Agasit: Puca e Yeffet hapën biznes kuajsh me paratë e shqiptarëve
Thellohet hetimi mbi përdorimin e fondeve publike të përfituara nga kompanitë që kanë kontrata me shtetin. Në qendër të zhvillimeve të fundit janë Arjeta Puca dhe Ron Yeffet, të cilët kanë hapur biznesin “Timak Horse”, të fokusuar në kuaj dhe hipizëm.
Sipas të dhënave të bëra publike, “Timak Horse” ka selinë në Equos Resort, pronë e biznesmenit Ergys Agasi, e blerë nga Gazmen Brahimi.
Në të njëjtën zonë ku ndodhet Equos Resort, SPAK, në kuadër të hetimeve për çështjen e AKSHI-t, ka sekuestruar rreth 50 mijë metra katrorë tokë dhe rreth 1,300 metra katrorë sipërfaqe ndërtimi, të lidhura me pronësinë e Ergys Agasit.
Biznesi “Timak Horse” është hapur në një periudhë kur Agasi ndodhej në arrati. Ndërkohë, këtë javë Puca dhe Yeffet pritet të pyeten nga SPAK.
Marrja e tyre në pyetje vjen pas sekuestrimit të kontratave dhe dokumenteve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në kompaninë TIMAK. Hetimet po zhvillohen mbi dyshimet për pastrim parash, shpërdorim detyre dhe favorizim në tendera e gara publike.



Gazetari i Syri-t, Elton Qyno raporton se një nga pistat që po verifikohet është edhe gjurma e parave të fondeve publike dhe mënyra se si janë përdorur ato. Në kuadër të hetimeve janë evidentuar shpenzime dhe investime që lidhen me prona, mjete luksoze dhe aktivitete të tjera.
Nëse në hetimet për AKSHI-n SPAK po verifikon përdorimin e fondeve publike për shpenzime të ndryshme, mes tyre produkte luksi dhe aktivitete të tjera, hetimi që lidhet me fondet e Ministrisë së Mbrojtjes po nxjerr në pah edhe aktivitetin e “Timak Horse” dhe biznesin e kuajve.
Tashmë SPAK po verifikon lidhjet financiare, kontratat publike dhe destinacionin e parave, ndërsa marrja në pyetje e Pucës dhe Yeffet dhe dokumentet e sekuestruara pritet të hedhin më shumë dritë mbi mënyrën se si janë përdorur fondet dhe lidhjet mes kompanive dhe personave nën hetim.
Rruga Press

