Ministri kroat i Mbrojtjes: Kemi përgjigje ndaj arsenalit ofensiv të Serbisë, Kosovën e kemi aleate
Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, ka thënë të premten në një konferencë kushtuar investimeve në sistemin e mbrojtjes se retorika agresive në Serbi ndaj fqinjëve është edhe më e rëndë sesa para 36 vjetësh, se Serbia po armatoset me arsenal ofensiv të distancës së gjatë, por se Kroacia ka përgjigje për këtë dhe, në bashkëpunim me aleatët, si Republika e Kosovës, Shqipëria dhe të tjerët, do të krijojë një balancë në rajon për të ruajtur paqen.
Gazeta kroate “Jutarnji list” shkruan se në këtë konferencë në Zarë të Kroacisë, të quajtur “EU 4 Defence Readiness – Road Map to Future“, merr pjesë edhe Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes i Kosovës, të cilin ministri kroat Anushiq e ka përshëndetur në mënyrë të veçantë.
“Gjëja e dytë dhe e tretë që dua të përmend është situata e sigurisë në Kroaci, rreth Kroacisë dhe në rajonin tonë. Ajo nuk është e thjeshtë, është e rëndë dhe e komplikuar. Kemi historinë, e cila na ka dhënë mësime të shkëlqyeshme, dhe kemi retorikën, e cila përsëri po dëgjohet nga Serbia fqinje. Është një retorikë e pabesueshme, agresive, sulmuese dhe, në fund të fundit, shumë armiqësore“, ka thënë në fjalimin e tij Anushiq.
“Jemi të vetëdijshëm se Serbia, për të dhjetin vit me radhë, po armatoset në mënyrë intensive me armatim serioz. Nuk do të thoja mbrojtës, por me sisteme ofensive. Serbia nuk e ka ndalur retorikën nga vitet ’90, retorikë pas së cilës nisën luftërat e përgjakshme në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Do të doja të thoja se retorika është edhe më e ashpër. Për ne ka qenë moti i mjaftueshëm që të kërkojmë përgjigje, pasi Serbia ka blerë raketa supersonike të distancës deri në 400 kilometra nga prodhues kinezë, dhe presidenti i Serbisë ka thënë se mund ta godasin secilin kryeqytet në rajon, e madje ia kanë ngjitur emrin Zegrebçanka. Ne kundërpërgjigje kemi”, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Kroacisë.
“Ne kemi sistem raketor të distancës së gjatë, edhe më të gjatë sesa që kanë ata. Nuk duam që diskutimi i përgjithshëm të shkojë drejt asaj se kush i ka raketat me distancë më të madhe veprimi, por Kroacia ka përgjigje për atë që ata kanë dhe shumë shpejt do të kemi në pronësi dhe do të krijojmë balancën e forcave të armatosura në këto hapësira, në Evropën Juglindore, që është shumë e rëndësishme”, ka thënë ministri kroat.
Anushiq ka thënë se Kroacia është një zë i arsyes në rajon dhe kështu ka qenë edhe në të gjitha konfliktet dhe në situatat e ndryshme politike.
“Dikush duhet të paraqesë një kundërbalancë ndaj fqinjit që armatoset dhe që kërcënon me revansh ndaj asaj që ka ndodhur në vitet ’90, i cili kërcënon territorin e Republikës së Kosovës duke thënë se është pjesë e Serbisë, i cili kërcënon ende se pjesë të Kroacisë janë linja Karlovac-Karlobag-Virovitica, kufijtë e tyre, dhe Kroacia duhet të jetë e vetëdijshme se nuk po jetojmë në një botë ideale dhe nuk i kemi fqinjët idealë, prandaj duhet të kujdesemi për të mbrojtur para së gjithash fëmijët tanë, të cilët një ditë prapë të mos duhet të veshin uniformat dhe të luftojnë. Ajo që bëjmë është pikërisht kjo, të parandalojmë atë që nuk mundëm ta parandalonim në vitin 1990, por tash mundemi”, ka thënë ai, duke shtuar se “sot askush Kroacinë nuk mund ta shohë si një cak të lehtë”.
“Për këtë arsye duhet të kemi bashkëpunim me aleatët tanë, si me Republikën e Kosovës, ashtu edhe me Shqipërinë, me fqinjët tanë që janë në NATO dhe ata që nuk janë, por kanë një politikë paqedashëse, qëllimmirë, politikë të stabilitetit, paqes dhe bashkëpunimit”, ka thënë ai.
“Për këtë arsye përshëndes edhe një herë kolegun ministër që është këtu sot me ne, ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, me të cilin bashkëpunojmë në mënyrë të shkëlqyeshme dhe vazhdojmë të ndërtojmë bashkëpunimin dhe miqësinë tonë”, ka përfunduar Anushiq.
Rruga Press

