KryesoreLajme

Haxhiu për listën e përbashkët shqiptare për zgjedhjet në Serbi: Bashkimi është i domosdoshëm

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur marrëveshjen e arritur mes tetë subjekteve politike shqiptare të Luginës së Preshevës për krijimin e listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar” për zgjedhjet parlamentare në Serbi, të parapara të mbahen më 25 tetor.

Haxhiu e ka cilësuar marrëveshjen si një “vendim të pjekur politik”, duke theksuar se ajo e vendos përfaqësimin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës mbi interesat partiake.

Ajo ka përgëzuar drejtuesit e subjekteve politike për arritjen e marrëveshjes, duke vlerësuar se bashkimi i tyre mund të ndikojë në forcimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Luginë.

Lexo më shumë  Industria përpunuese në Shqipëri në recesion të zgjatur, hyn në vitin e katërt të rënies, bashkë me bujqësinë

Në reagimin e saj, Haxhiu ka ngritur edhe çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Ajo ka përmendur pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave dhe nënpërfaqësimin në institucionet publike, si dhe, sipas saj, kufizimet në arsim, përdorimin e gjuhës dhe simboleve dhe përjashtimin ekonomik.

Haxhiu ka bërë krahasim edhe me të drejtat që komuniteti serb gëzon në Kosovë, duke theksuar se komuniteti serb ka 10 ulëse të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, një nënkryetar të Kuvendit dhe së paku një ministër në Qeveri.

“Në këto rrethana, bashkimi është i domosdoshëm. Ndarja e votave mund ta dobësojë përfaqësimin e Luginës, ndërsa një listë e përbashkët e forcon atë”, ka deklaruar Haxhiu.

Lexo më shumë  EU Perspectives: Rasti i ish-kreut të SHISH trazon institucionet, çështja vjen në një moment kyç për integrimin në BE

Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë ta ngrenë zërin për të drejtat e shqiptarëve në Serbi dhe se do të shtohet edhe mbështetja institucionale për ta.

Në fund, Haxhiu u ka uruar sukses kandidatëve të listës së përbashkët, duke theksuar se në zgjedhjet e 25 tetorit “vota e secilit shqiptar të Luginës do të ketë peshë”.

Rruga Press

YouTube player