KryesoreLajme

DASH ngre alarmin për Shqipërinë: Korrupsioni po tremb investitorët

Korrupsioni vijon të jetë një nga pengesat kryesore për zhvillimin ekonomik dhe klimën e biznesit në Shqipëri. Vlerësimi vjen nga Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin për klimën e investimeve në Shqipëri për vitin 2026, ku theksohet se investitorët e huaj e rendisin korrupsionin dhe krimin e organizuar ndër problemet më të mëdha të vendit.

Sipas DASH, shqetësimet e investitorëve shtrihen në disa sektorë, nga gjyqësori dhe administrata publike te prokurimet dhe zbatimi i kontratave.

Investitorët ngrenë alarmin, nga korrupsioni te krimi i organizuar

Raporti evidenton si problem korrupsionin në gjyqësor, qeveri, prokurime publike dhe media, ndërsa në listën e shqetësimeve përfshihen edhe mungesa e transparencës dhe konkurrencës.

DASH përmend gjithashtu pastrimin e parave, ndikimin e krimit të organizuar, ekonominë informale dhe zbatimin e dobët të kontratave si faktorë që ndikojnë në klimën e biznesit.

Në dokument nënvizohet se përmirësimi i bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore mbetet i nevojshëm për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për adresimin e kulturës së pandëshkueshmërisë.

DASH: Dënimet e zyrtarëve të lartë mund të nxisin investimet

Departamenti Amerikan i Shtetit e lidh forcimin e luftës kundër korrupsionit me klimën e investimeve.

Sipas raportit, përparimi i strukturave të posaçme antikorrupsion dhe vazhdimi i dënimeve për korrupsion në nivele të larta do të mund të nxisnin investimet e huaja dhe vendase.

Lexo më shumë  Bashkëpunimi në operacionet speciale, Jashari takon komandantët nga Shqipëria dhe Kroacia

“Përparimi i mëtejshëm i strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe vazhdimi i një historie dënimesh për korrupsionin në nivele të larta do të nxiste investimet e huaja dhe vendase dhe do t’i mundësonte Shqipërisë të konkurronte më me sukses në ekonominë globale”, thuhet në raport.

Vlerësimi për SPAK dhe BKH

Në raport vlerësohet edhe puna e Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, të krijuara në kuadër të reformës në drejtësi.

Sipas DASH, këto struktura kanë bërë përparim në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e personave të dyshuar për korrupsion dhe krim të organizuar, përfshirë zyrtarë të lartë aktualë dhe ish-zyrtarë.

SPAK, thuhet në raport, ka hetuar disa çështje të profilit të lartë, ka urdhëruar arrestime dhe ka siguruar dënime ndaj zyrtarëve publikë dhe figurave të krimit të organizuar.

Vettingu: Mbi gjysma e subjekteve u shkarkuan ose dhanë dorëheqjen

Një pjesë e veçantë e raportit i kushtohet reformës në drejtësi dhe procesit të vettingut.

DASH e cilëson miratimin e ndryshimeve kushtetuese në korrik 2016 si një hap të rëndësishëm për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Lexo më shumë  Von der Leyen në Tiranë në takim me Ramën - Qytetarët mblidhen në protestë pranë Kryeministrisë, nisin shoqërimet e para

Sipas raportit, procesi i vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve përfundoi në vitin 2024, ndërsa çështjet e fundit të apelimit përfunduan në vitin 2026.

Më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve që iu nënshtruan procesit të vettingut janë shkarkuar për pasuri të pajustifikuara ose lidhje me krimin e organizuar, ose kanë dhënë dorëheqjen për të shmangur procesin.

Konfiskimi i pasurive

DASH vlerëson gjithashtu se Shqipëria ka bërë përparim në fushën e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive.

Raporti përmend krijimin e strukturave për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara dhe Zyrës për Rikuperimin e Pasurive, si dhe rritjen e hetimeve financiare paralele në çështjet penale.

Sipas dokumentit, këto mekanizma synojnë që pasuritë e përfituara nga aktiviteti kriminal të përdoren për nevojat e shtetit.

Në përfundim, DASH thekson se Shqipëria ka krijuar një kuadër ligjor për luftën kundër korrupsionit dhe parandalimin e konfliktit të interesit, por korrupsioni vijon të dëmtojë shtetin e së drejtës, të rrezikojë zhvillimin ekonomik dhe të pengojë vendin të shfrytëzojë plotësisht potencialin e tij ekonomik.

YouTube player