Von der Leyen në Tiranë në takim me Ramën – Qytetarët mblidhen në protestë pranë Kryeministrisë, nisin shoqërimet e para
Qytetarët janë mbledhur duke protestuar pranë Kryeministrisë, ndërkohë pritet që Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen të mbërrijë për të zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama.
Sipas një video të publikuar nga një prej aktivisteve, policia ka nisur shoqërimet e para.
Siç shihet edhe në pamje, protestuesit po qëndrojnë jashtë perimetrit të sigurisë të vendosur nga Policia në kuadër të vizitës së diplomates evropiane, ndërsa efektivët po tentojnë që t’i largojnë. Qytetarët mbajnë disa pankarta në duar, ndërsa në njërën shkruhet: “Jo BE me Edi Ramën”.
Sipas agjendës së bërë publike nga Kryeministria, Von der Leyen do të mbërrijë në zyrën e kryeministrit Edi Rama rreth orës 16:30. Ajo do të zhvillojë një takim kokë më kokë me kreun e qeverisë, i cili pritet të zgjasë rreth një orë.
Pas takimit, rreth orës 17:30–18:00, Presidentja e Komisionit Europian dhe kryeministri Rama do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku pritet të bëhen publike detaje nga diskutimet. Vizita në Tiranë është pjesë e një turi të Von der Leyen në katër vende të Ballkanit Perëndimor, me fokus ecurinë e procesit të integrimit europian.
Rruga Press

