Pak aritmetikë kovidiane dhe e ardhmja e pandemisë
Shkruan Dr. Erion Dasho
Prej disa javësh tashmë edhe në Shqipëri ka nisur vala e katërt e COVID-it, ose vala e të rinjve dhe e pavaksinuarve. Sigurisht ka edhe persona të vaksinuar që sëmuren, madje edhe humbasin jetën, por këta janë përjashtime dhe jo norma.
Shqipëria pardje kaloi zyrtarisht shifrën e 1,000 të infektuarve, shifër kjo shumë pranë rekordit të zymtë të fillimit të shkurtit (1,239).
Por a është situata e njëjtë me shkurtin dhe a është kjo valë po aq shqetësuese sa ajo e dimrit dhe pranverës së këtij viti?
Sigurisht që jo!
Le të shohim shifrat!
Në dimër testohej shumë pak. Bazuar në parimin e strucit ministria i dërgonte me pikatore testet nëpër rrethe dhe mjekët zgjoheshin që në orën 6 të mëngjesit për të prenotuar teste për pacientët e tyre. Ditën kur ka patur 1,239 raste, përqindja e pozitivitetit midis personave të testuar ishte 27%!!!
Në atë periudhë, zyrtarisht mund të kishte 900 deri 1,200 raste në ditë, por analizat e mëvonshme nxorrën se numri real i rasteve në pik ka qënë midis 30 dhe 40 mijë në ditë. Zyrtarisht kishte 20 vdekje në ditë, por realisht kanë qenë 100 deri 150 të tilla që fshiheshin dhe manipuloheshin.
Situata sot është shumë më e ndryshme. Numri i të infektuarve të diagnostikuar duket shqetësues dhe ai real është shumë më i lartë, por gjithsesi i pakrahasueshëm me numrin e infektimeve ditore në pikun e janarit apo shkurtit.
Personalisht, e vlerësoj numrin real të rasteve rreth 4 deri 7 mijë në ditë, ndërsa atë të vdekjeve rreth 10 deri 15 në ditë. Fakti që në spitale ka më pak se 100 të shtruar flet se kjo valë është shumë më pak e rrezikshme për shëndetin publik.
Por rreziku i COVID-it për persona të caktuar vazhdon të jetë kërcënues! Njerëzit vazhdojnë të vdesin prej tij! Njerëz jeta e të cilëve mund të shpëtohej nëse do të kishin marrë vaksinën anti-COVID.
Deri dje, kur e vetmja mundësi vaksinimi ishte CoronaVac, justifikohej skepticizmi për t’u vaksinuar. Sot, kur është dhënë mundësia e zgjedhjes midis Pfizer dhe Astra Zeneca, ky justifikim nuk vlen më!
Një person që nuk ka kaluar sëmundjen duhet të vaksinohet! Kujtdo që ka frikë nga çipat, helmet, shkatërrimi i imunitetit apo ADN-së, kujto që nuk beson tek efektiviteti i vaksinës, unë i përsërit atë që kam shkruar gjithë këto ditë:
Europianët janë vaksinuar në masën 70 deri 80%, kurse izraelitët mbi 90%! A drejtohen këto vende nga të paaftë apo kriminelë?! A janë shërbimet inteligjente të këtyre vendeve të paafta të informohen për rreziqet e vaksinës dhe konspiracionin botëtor që zien nën rrogoz sipas “kompetentëve” shqiptarë apo ballkanikë?!
***
Të ardhmen askush nuk mund ta dijë dhe ta parashikojë. Ajo që shohim sot është se COVID po shkon drejt kontrollit gradual si kombinim i masave parandaluese jo specifike, imunitetit natyror dhe vaksinimit (sikundër edhe dhjetëra sëmundje të tjera më parë).
A mund të shfaqen në të ardhmen variante më të rrezikshme të SARS-CoV-2? Këtë nuk e përjashton dot askush. Virusi i gripit qarkullon prej mijëra vitesh në popullatën njerëzore dhe gripi spanjoll vrau 50 milionë njerëz!
Edhe me COVID-in çdo gjë mund të ndodhë. Ajo që dimë me siguri është, se të gjithë variantet që janë shfaqur deri tani, neutralizohen në një shkallë të lartë nga imuniteti natyror apo ai i fituar nëpërmjet vaksinës.
Atëherë ç’duhet bërë?
Le ta ndajmë përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje në dy pjesë.
A. Ç’duhet të bëjë sot qeveria?
Të ndërmarrë masa parandaluese që kanë efektivitet të provuar dhe janë proporcionale me shkallën e rrezikut. P.sh. të mos vendosë orë policore, por të kërkojë maska mjeksore për udhëtarët në transportin publik.
Dhe mbi të gjitha, të sigurojë vaksina cilësore për qytetarët në sasi të mjaftueshme. Kur një qytetar dëshiron të vaksinohet me Pfizer ose Astra Zeneca, ky qytetar nuk duhet të ketë asnjë pengesë për t’u vaksinuar me vaksinën që dëshiron.
B. Ç’duhet të bëjnë qytetarët?
Çuditërisht, shoqëria shqiptare ka krijuar një rezistencë të fortë ndaj procesit të vaksinimit. Në ditët e kaluar më kanë dërguar në inbox me dhjetëra video ku paralajmërohet “kataklizma” që e pret shoqërinë njerëzore pas vaksinimit kundër COVID-it.
Mendimi im është se vaksina ndihmon dhe duhet administruar. Nihmon madje edhe personat që kanë kaluar COVID-in ta forcojnë më tej imunitetin e tyre.
Sidoqoftë, duket të ketë disa parime:
Vaksinimi nuk mund të bëhet me detyrim për asnjë kategori personash.
Duhet të ketë gjithmonë një alternativë ndaj vaksinimit. P.sh. personave që u përkasin profesioneve të caktuara si personel mjeksor apo arsimtarë dhe nuk dëshirojnë të vaksinohen, mund t’u kërkohet periodikisht një certifikatë testimi. Ose kujtdo që refuzon vaksinimin t’i kërkohet të blejë sigurim shëndetësor shtesë anti-COVID, përndryshe nuk i mundësohet trajtimi falas në spitalet publike.
Duhet një përafrim mendjehapur lidhur me personat që e kanë kaluar sëmundjen. Këta persona mund të konsiderohen të mbrojtur nga COVID-i për shumë arsye:
Së pari, studime të fundit flasin se imuniteti natyror mbron më tepër edhe se vaksinat më të mira në qarkullim.
Së dyti, shumë prej këtyre personave kryejnë me iniciativë personale teste imunologjike dhe rezultojnë me titra të lartë të antitrupave anti-COVID. Prania e antitrupave anti-COVID jo domosdoshmërisht garanton që personi është i mbrojtur, por nuk duhet harruar se këtë nuk e garanton me 100% as vaksina.
Së fundi, logjika e thjeshtë thotë se kush e ka kaluar njëherë infeksionin (sidomos me shenja dhe klinikë të lehtë) mund ta kalojë sërish atë në të njëjtën mënyrë.
Përfundimisht, COVID-i si çdo pandemi tjetër po shkon drejt shuarjes dhe së shpejti nuk do të jetë problem për shoqërinë njerëzore.
Sot mund të shpëtohen disa miliona jetë në botë dhe disa qindra apo mijëra në Shqipëri me një gjest të thjeshtë: vaksinimi me një prej vaksinave cilësore që janë në qarkullim aktualisht.
Rekomandimi im, sidomos për personat që nuk e kanë kaluar COVID-in është: vaksinohuni me një prej vaksinave Pfizer ose Astra Zeneca! Sa më parë, aq më mirë!
Rruga Press