“Shumë karrige, shumë fjalë, po përgjegjësia?”/ Protesta e 121-të, pankartat për Ramën dhe Hysenin
Protesta kundër qeverisë vijon për të 121-ën ditë në Tiranë, ndërsa në qendër të mesazheve të protestuesve këtë mbrëmje është vendosur mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe zhvillimet e fundit rreth ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare u mblodh këtë të hënë me thirrje të Presidentit Bajram Begaj, ndërsa në tryezë ishin drejtuesit e institucioneve kryesore të sigurisë dhe shtetit. Takimi u zhvillua në një kohë kur Hyseni ndodhet nën masën e arrestit në shtëpi.
Pikërisht kjo mbledhje është reflektuar edhe në pankartat e protestuesve.
“Këshilli i Sigurisë, shumë karrige, shumë fjalë, po përgjegjësia ku ka për të dalë?”, shkruhet në një prej tyre.
Një tjetër pankartë i referohet deklaratës së bërë një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se asgjë nuk e ndalon për të vazhduar punën për zhvillimin e vendit.
Protestuesit i janë përgjigjur me ironi këtij mesazhi, duke shkruar në pankartë se “asgjë nuk e ndalon” Ramën për të vjedhur.
Protesta vijon ndërsa në plan të parë mbeten kërkesat e protestuesve për dorëheqjen e kryeministrit dhe largimin e tij nga politika.
Në të njëjtën ditë, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Presidenca deklaroi se hetimet e drejtësisë duhet të zhvillohen në mënyrë të pavarur dhe se çështjet individuale nuk duhet të kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe institucioneve të sigurisë.



Rruga Press

