Kurti për 35-vjetorin e referendumit: 99.87 për qind votuan për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 35-vjetorin e referendumit për pavarësinë e Kosovës, duke publikuar edhe një fotografi të fletëvotimit të përdorur në referendumin e vitit 1991.
Kurti ka shkruar se referendumi për pavarësinë e Kosovës u mbajt nga 26 deri më 30 shtator 1991, në tërë territorin e Kosovës.
“Kështu dukej një fletëvotim i referendumit të vitit 1991, për Republikën e Kosovës, sovrane dhe të pavarur!”, ka shkruar Kurti.
Ai ka rikujtuar se referendumi u mbajt pas Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990 dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të miratuar më 7 shtator 1990 në Kaçanik.
“Këto ditë, po bëhen 35 vite prej kur nga data 26 deri më 30 shtator të vitit 1991, në tërë Kosovën u mbajt një referendum demokratik për pavarësimin e Republikës së Kosovës nga Jugosllavia, si shtet sovran dhe i pavarur. Kjo republikë ishte shpallur një vit më parë më 1990, me Deklaratën Kushtetuese të miratuar më 2 korrik në Prishtinë dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës të miratuar më 7 shtator në Kaçanik”, ka deklaruar ai.
Sipas Kurtit, nga mbi një milion qytetarë me të drejtë vote, në referendum morën pjesë më shumë se 914 mijë.
“Nga 1 051 357 qytetarë me të drejtë vote, 914 802 prej tyre apo 87.01 % morën pjesë në referendum, kurse 12.9 % apo 136 555 nuk dolën në referendum. Nga këto vota, 913 705 qytetarë votuan për ‘Po’ kurse vetëm 164 votuan kundër me ‘Jo’, teksa 933 fletëvotime rezultuan të pavlefshme”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se, sipas këtyre të dhënave, 99.87 për qind e votuesve u shprehën pro Republikës së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur.
“Kështu, gjithsej 99.87 % e qytetarëve votuan për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, vetëm dy vite pasi Serbia me dhunë ia kishte suprimuar autonominë Kosovës si subjekt kushtetues e njësi konstituive e federatës së ish Jugosllavisë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri në detyrë e ka cilësuar referendumin e vitit 1991 si një ngjarje me rëndësi historike për Kosovën.
“Referendumi i shtatorit 1991 për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, përfaqëson një ngjarje me rëndësi historike, meqë ishte e para herë që populli i Kosovës po deklarohej lirshëm duke shprehur vullnetin e tij për vetëvendosje”, ka shkruar ai.
Sipas tij, përmes referendumit, qytetarët e Kosovës shprehën para Evropës dhe botës demokratike aspiratën për një shtet të pavarur dhe sovran.
“Përmes këtij referendumi, populli i Kosovës ia bëri me dije Evropës dhe botës demokratike, aspiratën e tij politike që Kosova të jetë një shtet i pavarur dhe sovran si dhe i barabartë me shtetet e tjera demokratike. Kjo nënkuptonte që Kosova duhej çliruar e shkëputur nga Jugosllavia dhe Serbia pushtuese”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka lidhur realizimin e kësaj aspirate me zhvillimet e viteve në vijim, përfshirë rezistencën paqësore, rezistencën e armatosur dhe luftën e UÇK-së.
“Kjo aspiratë u realizua tetë vite më pas, në qershor të vitit 1999, pas një dekade të përshkuar nga mosbindja civile dhe rezistenca paqësore, pasuar nga rezistenca e armatosur dhe kulmuar nga lufta e drejtë çlirimtare e popullit tonë, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si bartëse të saj, e ndihmuar më pas nga shtetet aleate të NATO-s, drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se këto zhvillime duhet të kujtohen për shkak të asaj që e cilëson si periudhë të shtypjes dhe dhunës shtetërore në Kosovë.
“Andaj për mot, si sot, i kujtojmë zhvillimet dhe ngjarjet që e shkëputën Kosovën nga epoka e shtypjes dhe dhunës shtetërore, nga eksploatimi ekonomik dhe diskriminimi politik, nga spastrimi etnik dhe gjeonicidi, të gjitha këto të ushtruara nga regjimi i Serbisë ndër dekada të tëra”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shprehur mirënjohje për aktivistët dhe gjeneratat që, sipas tij, kontribuuan në përpjekjet për liri, pavarësi dhe demokraci.
“Me mirënjohje, nderim e respekt për të gjitha gjeneratat e aktivistëve që e mirëmbajtën përpjekjen dhe angazhimin e popullit të Kosovës për liri e bashkim, pavarësi e demokraci, për shtet dhe përparim!”, ka shtuar Kurti.
Rruga Press

