KryesoreLajme

Në KDS përfundon “Kursi i Avancuar për Lider”, pjesëmarrësit u trajnuan për detyra udhëheqëse në FSK

Në Shkollën e Nënoficerëve (SHNO), në kuadër të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), ka përfunduar me sukses “Kursi i Avancuar për Lider – Gjenerata 18-2026”.

Sipas njoftimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), kursi është zhvilluar me qëllim të ngritjes së kapaciteteve udhëheqëse, zhvillimit të aftësive taktike dhe përgatitjes profesionale të pjesëtarëve për detyra si udhëheqës skuadre dhe rreshter togu në kuadër të FSK-së.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit kanë ndjekur një program intensiv në disa fusha të rëndësishme të lidershipit ushtarak.

Lexo më shumë  Sveçla: Falë sakrificës së Afrim Bunjakut dhe policëve të tjerë veriu i Kosovës tash frymon lirshëm

“Gjatë kursit, pjesëmarrësit kaluan trajnim intensiv në fushat e udhëheqjes ushtarake, planifikimit operacional, komunikimit, vendimmarrjes dhe zbatimit të procedurave taktike në terren”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Përmes ligjëratave profesionale dhe ushtrimeve praktike, kursantët kanë demonstruar disiplinë, përkushtim dhe nivel të lartë profesionalizmi.

Një kontribut të veçantë në zhvillimin e kursit kanë dhënë edhe instruktorët nga Akademia e Nënoficerëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët kanë qëndruar në Shkollën e Nënoficerëve nga 21 deri më 25 shtator 2026.

Sipas FSK-së, instruktorët shqiptarë kanë ligjëruar tema profesionale dhe kanë ndarë përvojat e tyre në fushën e zhvillimit të nënoficerëve.

Lexo më shumë  Kurti: Turizmi në Kosovë është sektor gjithnjë në rritje, synojmë zhvillimin e tij në çdo cep të vendit

“Ky bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve kontribuoi në shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e mëtejshëm të zhvillimit profesional të nënoficerëve”, thuhet në njoftim.

Në ceremoninë përmbyllëse është vlerësuar angazhimi i instruktorëve dhe suksesi i kursantëve, ndërsa është theksuar rëndësia e zhvillimit të vazhdueshëm profesional të nënoficerëve si një prej shtyllave kryesore të lidershipit në FSK.

Rruga Press

YouTube player