Haxhiu: Nuk i ndihmojmë Kosovës dhe të akuzuarve në Hagë nëse shkojmë në zgjedhje
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara do të trajtohet me prioritet.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu tha se gjatë takimit e ka pyetur përfaqësuesin e PDK-së, Arian Tahirin, lidhur me konsultimet për këtë nismë, duke theksuar se ekipet mbrojtëse të të akuzuarve në Hagë nuk janë konsultuar.
“Sa i përket projektligjit, e pyetëm zotin Tahiri [Arian Tahirin], se me kë janë konsultuar. Çfarëdo iniciative ligjore, ekipet mbrojtëse nuk janë konsultuar dhe mendoj që është gabim. Në momentin kur kam pranuar projektligjin, e kemi proceduar në Qeveri. Kam qenë në komunikim me kryeministrin Kurti, u zotova edhe në mbledhje që projektligji të trajtohet me prioritet, sidomos që tani i kemi ditët e numëruara”, tha Haxhiu.
Ajo ka folur edhe për afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se deri më 6 tetor duhet të gjendet një zgjidhje për këtë çështje.
Sipas Haxhiut, të gjithë akterët politikë duhet të kontribuojnë që vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme, duke e lidhur këtë edhe me situatën e krijuar rreth procesit në Hagë.
“Dhe kur jemi te vendimi i Gjykatës Kushtetuese, deri më 6 tetor duhet ta zgjedhim presidentin, atëherë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Është e rëndësishme që secili prej nesh të japë kontribut që të mos shkojë vendi në zgjedhje, sidomos kur flasim për procesin në Hagë. Nuk i ndihmojmë as Kosovës, as qytetarëve që po protestojnë në mënyrë paqësore, por as atyre që janë në Hagë, nuk u ndihmojmë që, me vetëdije të plotë, pa kokëçarje, ta çojmë vendin në zgjedhje”, deklaroi Haxhiu.
Rruga Press

