Sport

Donjeta Sadiku mposht bindshëm kundërshtaren ruse në Kampionatin Evropian të Boksit

Boksierja Donjeta Sadiku e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e saj në Kampionatin Evropian të boksit.

Sadiku nuk i la shumë hapësirë kundërshtares së saj ruse, Alina Pushkar, duke e mposhtur bindshëm me rezultat 5:0.

Në duelin e zhvilluar në Sofje të Bullgarisë, ajo ishte superiore gjatë të tria raundeve, duke treguar qetësi, saktësi dhe kontroll të plotë të përballjes. Kosovarja e rriti presionin në raundin e dytë, kur arriti ta rrëzojë Pushkarin, duke i dhënë edhe një tjetër sinjal të qartë për epërsinë e saj në ring.

Pas përfundimit të tri raundeve, pesë gjyqtarët votuan në favor të Sadikut, duke i dhënë fitoren me rezultat të pastër, 5:0.

Sadiku garon në kategorinë deri në 60 kilogramë dhe me këtë fitore siguron kalimin në fazën tjetër të kampionatit evropian “Sofje 2026”.

Sadikun tashmë e pret përballja e radhës, me synimin për të vazhduar rrugëtimin drejt medaljes.

Fitorja ndaj Pushkarit është një nisje premtuese për Sadikun, e cila në Sofje synon të shkojë sa më larg në këtë garë evropiane.

YouTube player