Shqipëria e shifrave të bukura dhe e jetës së shtrenjtë
Nga Irena Beqiraj
Qeveria vazhdon të na sigurojnë se ekonomia po ecën mjaft mirë. Kjo gjë është teknikisht e vërtetë vetëm, nëse zotëron ndonjë kontratë koncensioni, port a aeroport ; nëse je furnizues pa garë i shërbimeve tek AKSHI apo furnizuesi me makina a veshje i ushtrisë ; nëse zotëron ndonjë kazino; ose nëse je furnizuesi i vetëm në treg për ilaçet kundër ankthit.
Për të gjithë të tjerët, ecuria e mirë ekonomike tingëllon teorike. Edhe nuk po bëj as politikë as kritikë, thjesht një përshkrim të asaj që një shqiptar i zakonshëm pa pushtet ekonomik a politik përjeton çdo ditë .
Papunësia është ulur por, shqiptarëve u duhet të punojnë dy punë për të përballuar privilegjin e blerjes së ushqimeve, një pjesë e të cilave megjithëse gjenden nëpër raftet e dyqaneve u ngjajnë xhevahireve të rralla në një ekspozitë muzeale.
Në Shqipëri, një paketim me 10 vezë kushton 3,9 euro ndërsa në europë mesatarisht kushton 3 euro.
Një litër qumësht i zakonshëm në Shqipëri kushton 1.9 euro, çmim ky dukshëm më i lartë se mesatarja e tij në Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat-it, kostoja e kombinuar e produkteve të qumështit mishit dhe vezëve në Shqipëri është rritur ndjeshëm, duke arritur në 35,6% mbi mesataren e BE-së. Perimet frutat po ashtu janë më të shtrenjta se në BE .
Ndaj çdo vizitë në super market, për një familje me të ardhura mesatare, është kthyer në një ngjarje e rëndësishme financiare, dhe si i tillë çdo dalje për pazar kërkon një mbledhje urgjente familjare.
Por shpresa vdes e fundit . Janë çmimet e karburanteve që luhaten si për të na e mbajtur atë gjallë. Ato bien me pesë lekë për të mos vrarë njëherë e mirë optimizmin tonë dhe më pas rriten me njëzet lekë si për të na kujtuar se për çmimin e karburantit vazhdojmë me kokëfortësi të kryesojmë renditjen në Europë.
Ndërkohë, edhe strehimi ka evoluar. Nga një domosdoshmëri bazë është kthyer në një ëndërr të çmuar, njëlloj si dalja në pension apo arritja e paqes së brendshme. Të rinjtë tani flasin për pronësinë e një shtëpie në të njëjtën mënyrë siç flisnin fshatarët mesjetarë për mundësinë për t’u bërë mbretër. Si froni dikur edhe banesa sot mund të arrihen ose si trashëgitarë ose me ndërhyrjen hyjnore.
Ndërsa një sëmundje, dhëntë zoti mos të jetë e gjatë edhe e vështirë, sepse më shumë se 43% e shqiptarëve mund të kthen sa hap e mbyll sytë në të varfër.
Pagat, natyrisht, janë rritur, por jo me të njëjtin vrull entuziast siç ka ndodhur me çmimet apo fitimet e 200 kompanive më të mëdha . Ndërsa paga mesatare e shqiptarit të thjeshtë ecën me rritmin e një burri të moshuar rritja e cmimeve , paga e deputetit, fitimet e kompanive janë të shpejta si një atlet profesionist njëzet vjeçar.
Por shqiptarët duhet të dëgjojnë edhe t’i gëzohen lajmit se “ekonomia është e fortë edhe e qëndrueshme, edhe se leku është forcuar ” Ndaj socialistët i përsërisin këto vazhdimisht. Veçse kjo qëndrueshmëri vetëm në statistika e ka kthyer jetën në Shqipëri një sprovë gjigante rezistence, ku qytetarët gjenden pa mbrojte ndaj rritjes së pakontrolluar të faturave edhe ku “klasa e mesme” nuk është më një kategori sociale por një referencë historike nostalgjike.
Për zbutjen e kostove të jetesës qeveria ka 13 vjet që rrotullon pa rezultat të njëjtat programe e ide ( borde pasqyra programe strehimi). I rrotullon në të njëjtën mënyrë siç rrotullojmë çdo darkë listerinën në gojë, për të parandaluar shpërthimin e ndonjë revolte akute por kursesi për të adresuar problemin. Qeveria dhe institucionet nuk po ndërhynë në shkaqet strukturore: mungesa e konkurrencës, informaliteti, zinxhirët e furnizimit, funksionimi i tregjeve edhe korrupsioni . Në mënyrë qesharake rikthehet e njëjta retorikë e ndërhyrjes administrative, tek shitësit e pakicës kur fitimet shkojnë tek monopolet edhe oligopoli i shumicës.
Ndaj këto programe mund t’i zbusin kostos e jetesës aq sa parashikimi i motit mund të zgjidhë zinë e bukës.
Edhe kjo është gjëja më qesharake e politikës. Flasin për koston e jetesës sikur ajo të ishte ndonjë studim statistikor e jo halli më i madh i përditshmërisë së shqiptarit.
Rruga Press

