Bota

Vuçiq rikthehet te Shesheli, Stojkoviq: Serbia ende beson në mitologjinë millosheviqiane-shesheliane

Avokati serb Çedomir Stojkoviq ka reaguar ashpër ndaj klimës politike dhe ideologjike në Serbi, duke thënë se përderisa në vend vazhdon të besohet në atë që ai e quan “mitologji millosheviqiane-shesheliane”, edhe vendimet politike do të vazhdojnë të jenë të njëjta.

Reagimi i tij merr një kontekst të veçantë në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi, pasi Partia Radikale Serbe (SRS) e Vojislav Sheshelit ka vendosur të garojë në të njëjtin bllok zgjedhor me Partinë Përparimtare Serbe (SNS), ndërsa radikalët kanë shprehur mbështetje për Aleksandar Vuçiqin si kandidat për kryeministër.

“Për sa kohë besohet në mitologjinë dhe ideologjinë millosheviqiane-shesheliane dhe në një realitet të shtrembëruar në këtë mënyrë, vendimet politike do të jenë millosheviqiane-shesheliane”, ka shkruar Stojkoviq.

“E bashkë me to edhe pasojat. Dhe këtu nuk ka përjashtime. Kjo nuk varet nga fakti nëse dikush është profesor, student apo minator”, ka shtuar ai.

Lexo më shumë  Tusk: Rusia po përdor armë të rrezikshme, rreziku po afrohet te kufijtë tanë

Bashkimi elektoral i SNS-së me radikalët e Sheshelit ka rikthyer në vëmendje edhe të kaluarën politike të Vuçiqit.

Presidenti aktual i Serbisë e ndërtoi një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij politike pikërisht në Partinë Radikale Serbe.

Ai iu bashkua SRS-së në vitin 1993, ishte deputet dhe më pas sekretar i përgjithshëm i partisë. Në vitin 2008, pas ndarjes brenda radikalëve, Vuçiq u largua nga SRS-ja dhe iu bashkua Partisë Përparimtare Serbe të sapoformuar.

Bashkëpunimi mes SNS-së dhe radikalëve nuk është shfaqur vetëm në nivelin qendror. Në zgjedhjet lokale të këtij viti në Aranxhelloc, Shesheli mori pjesë në fushatën e listës së udhëhequr nga SNS-ja, ndërsa radikalët ishin pjesë e listës së përbashkët “Aleksandar Vuçiq.

Mediat kundër pushtetit duke cituar analistë politikë, ka shkruar se Vuçiq po rikthehet gjithnjë e më shumë te modeli politik i Partisë Radikale dhe te metodat e mentorit të tij të dikurshëm politik, Vojislav Sheshel.

Lexo më shumë  Provokim ushtarak pranë kufirit të NATO-s/ Droni rus godet trenin, shpëton ish-kryeministri britanik Johnson dhe delegacioni perëndimor

Ato kanë publikuar qëndrime kritike për përdorimin e nacionalizmit dhe trashëgimisë së viteve ’90 në politikën aktuale serbe, duke e lidhur retorikën e sotme me periudhën kur Vuçiq ishte një nga figurat e rëndësishme të radikalëve.

Shesheli, i cili ishte një nga figurat kryesore të nacionalizmit serb gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, u dënua në vitin 2018 nga Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale me dhjetë vjet burg për nxitje të deportimit, përndjekjes dhe zhvendosjes së kroatëve nga Hrtkovci në Vojvodinë në vitin 1992.

Në këtë sfond, deklarata e Stojkoviqit për “mitologjinë millosheviqiane-shesheliane” vjen në një moment kur Vuçiq dhe partia e tij po hyjnë në zgjedhje në të njëjtin bllok me radikalët e Sheshelit, më shumë se 15 vjet pasi Vuçiq ishte larguar nga partia ku e kishte nisur ngritjen e tij politike.

Rruga Press

YouTube player