KryesoreLajme

Kurti thirrje liderëve politikë: Jemi kaq afër zgjidhjes për presidentin saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje liderëve politikë dhe deputetëve që të gjejnë një kompromis për zgjedhjen e presidentit të vendit, duke paralajmëruar se një proces i ri zgjedhor do të ishte i panevojshëm dhe në dëm të interesit publik.

Në adresimin e tij në mbledhje n e parë të Qeverisë së re, Kurti tha se Kosova tashmë ka Kuvend të konstituar dhe Qeveri të zgjedhur, ndërsa çështja e presidentit mbetet për t’u zgjidhur.

Ai u shpreh mirënjohës qytetarëve për besimin e dhënë dhe deputetëve për votimin e Qeverisë, duke theksuar se institucionet e reja kanë përpara shumë punë, projekte dhe sfida.

Kurti rikujtoi zhvillimet politike që çuan në zgjedhjet e 7 qershorit, duke thënë se vendi kishte kaluar nëpër dy procese zgjedhore të njëpasnjëshme, të cilat i cilësoi si të kushtueshme dhe pa rezultat të ri politik.

Sipas tij, tashmë situata është ndryshe, pasi Kuvendi është konstituar dhe Qeveria është zgjedhur.

“Ndërkaq përpara kemi çështjen e presidentit dhe një marrëveshje politike mes subjekteve Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për kandidatin për president”, tha Kurti.

Lexo më shumë  Ku shkel Rama, arrestohen qytetarë, protestë jashtë Pallatit të Kulturës në Vlorë, shoqërohen 4 persona

Ai u shpreh i shqetësuar për qëndrimet e disa deputetëve të LDK-së që, sipas tij, nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen politike të arritur mes dy subjekteve.

“Tani është për sfidë me qëndrimin e shprehur nga disa deputetë nga radhët e LDK-së, të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim pas një procesi bisedimesh jo të lehta të autorizuara nga kryesitë përkatëse të partive tona”, deklaroi ai.

Kurti tha se Kosova është shumë pranë zgjidhjes së çështjes së presidentit dhe se do të ishte e pafalshme që vendi të shkonte përsëri në zgjedhje.

“Jemi kaq afër zgjidhjes për presidentin saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë”, tha Kurti.

Në cilësinë e kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, ai u bëri thirrje liderëve politikë dhe deputetëve që të gjejnë një zgjidhje për presidentin.
“Le ta zgjidhim çështjen e presidentit, t’i japim vendit tonë institucionin në përputhje me vullnetin qytetar dhe le të ecim përpara së bashku ashtu siç i takon Republikës sonë e siç presin qytetarët tanë”, u shpreh ai.

Lexo më shumë  Vlonjatët po ikin nga Vlora/ Më pak nxënës në klasën e parë, në bankat e shkollës dhe fëmijë ukrainas

Kurti paralajmëroi se një proces i ri zgjedhor nuk do të sillte domosdoshmërisht ndryshime në skenën politike.

“Jam i bindur që edhe një proces i panevojshëm zgjedhor jo vetëm që nuk do të sjellë diçka të re sa i përket mozaikut politik në vend, por përfundimisht do të ishte papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike”, tha ai.

Sipas Kurtit, shembull i mundësisë për kompromis politik është vetë konstituimi i Kuvendit.

Ai tha se Vetëvendosje pranoi kandidaturat e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit, pavarësisht vërejtjeve që kishte për to.

“Një diskutim politik mes nesh, i hapur dhe i sinqertë jam i bindur që do t’i sjellë vendit presidentin e ri”, përfundoi Kurti.

Rruga Press

YouTube player