Alarm në Danimarkë, inteligjenca paralajmëron për sabotime ruse: Rekrutohen qytetarë përmes rrjeteve sociale
Shërbimi danez i Sigurisë dhe Inteligjencës (PET) ka ngritur alarmin për rrezikun e operacioneve ruse të sabotimit në territorin e vendit, duke paralajmëruar se në shënjestër mund të vendosen veçanërisht kompanitë dhe infrastruktura e lidhur me industrinë e mbrojtjes.
Sipas autoriteteve daneze, shërbimet ruse të inteligjencës po përdorin gjithnjë e më shumë qytetarë të zakonshëm për kryerjen e detyrave që mund të shërbejnë në përgatitjen e operacioneve të sabotimit.
Rekrutimi dyshohet se zhvillohet edhe përmes rrjeteve sociale, ku personave mund t’u ofrohen para për detyra në dukje të thjeshta, si fotografimi i objekteve, kompanive apo zonave të caktuara. Materialet e mbledhura mund të përdoren më pas për zbulim dhe planifikimin e veprimeve të mëtejshme.
Zyrtarët danezë të kundërzbulimit paralajmërojnë se kërcënimi nuk duhet parë më si një skenar klasik i filmave të spiunazhit, por si një rrezik konkret që autoritetet e sigurisë duhet ta përballojnë çdo ditë.
Paralajmërimi vjen në një periudhë tensionesh të forta mes Rusisë dhe vendeve evropiane, ndërsa shqetësimet për operacionet hibride, sabotimet dhe aktivitetet e shërbimeve ruse të inteligjencës janë shtuar ndjeshëm.
Pak ditë më parë, vendet e Bashkimit Evropian diskutuan mundësinë e sanksioneve të reja ndaj Moskës pas një incidenti në Gjermani me një dron të pajisur me eksploziv, ngjarje që zyrtarë të lartë evropianë e cilësuan si “terrorizëm të sponsorizuar nga shteti”.
Danimarka është ndër vendet evropiane që kanë mbështetur fuqishëm Ukrainën që prej nisjes së pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, duke ofruar miliarda euro ndihmë ushtarake dhe pajisje për Kievin.
Në këtë klimë, autoritetet daneze e konsiderojnë vendin një objektiv të mundshëm të operacioneve hibride ruse, të cilat synojnë të ushtrojnë presion mbi shtetet evropiane dhe të godasin sektorë strategjikë pa kaluar në një përballje të drejtpërdrejtë ushtarake.
Rruga Press

