Erdhi nga Suedia për protestën në Tiranë. Do të mbahet 72 orë në arrest, familjarët ngrenë alarmin: Vuan nga astma bronkiale, nuk i ka ilaçet në rajon
Desiderjo Alimuaçaj është një prej personave të arrestuar pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë. Sipas denoncimit të bërë publik nga të afërmit e tij, Alimuaçaj iu bashkua protestës në ditën e 94-të, pasi më herët kishte ndjekur protestat nga Suedia, ku jeton dhe ka shtetësi të dytë.
Sipas të njëjtit denoncim, gjatë protestës Alimuaçaj ishte ulur në rrugën përpara Kryeministrisë kur u ndërhy nga efektivët e Policisë së Shtetit. Ai është tërhequr zvarrë nga policia dhe më pas është ndaluar, ndërsa aktualisht thuhet se po mbahet në ambientet e paraburgimit në Mine Peza.
Familjarët deklarojnë se ai do të qëndrojë në arrest për 72 orë dhe ngrenë shqetësime veçanërisht për gjendjen e tij shëndetësore. Alimuaçaj vuan nga astma bronkiale dhe në momentin e ndalimit nuk kishte me vete medikamentet që përdor.
Prindërit e tij ndodhen në Suedi dhe, sipas denoncimit, janë të shqetësuar pasi familjarët në Shqipëri nuk kanë mundur ta takojnë. Ata thonë gjithashtu se nuk kanë informacion të plotë për avokatin e caktuar kryesisht për mbrojtjen e tij.
Të afërmit kërkojnë përgjigje nga autoritetet nëse Alimuaçaj është vizituar nga mjeku gjatë qëndrimit në paraburgim dhe mbi çfarë provash është bazuar ndalimi i tij. I riu nuk ka ushtruar dhunë gjatë protestës, por ka protestuar në mënyrë paqësore.
Në reagim ngrihen gjithashtu akuza politike ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar ndalimin si të motivuar politikisht.
Familjarët ankohen për mbi mënyrën e arrestimit, gjendjen shëndetësore dhe rrethanat e ndalimit të Alimuaçajt mbeten për t’u sqaruar nga Policia e Shtetit dhe autoritetet përgjegjëse.
Rruga Press

