KryesoreLajme

Veprimtarë dhe intelektualë shqiptaro-amerikan mbështesin Bekim Sejdiun për president të Kosovës

Një grup prej 28 veprimtarësh dhe intelektualësh shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur mbështetje për kandidaturën e Prof. Dr. Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës.

Në një letër drejtuar liderëve politikë dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, grupi ka bërë thirrje që Sejdiu të zgjidhet në postin e presidentit.

Nënshkruesit kanë thënë se e kanë përcjellë nga afër procesin e nominimit presidencial dhe kanë vlerësuar përvojën e Sejdiut si ish-diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tyre, kjo përvojë dhe integriteti profesional i Sejdiut janë të nevojshme për të kontribuar në unitetin e vendit dhe për forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara.

Në letër thuhet se një pjesë e nënshkruesve kanë pasur mundësi të punojnë me Sejdiun gjatë kohës kur ai shërbeu si Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në New York.

Lexo më shumë  Betohen 10 anëtarë të KQZ-së në Kosovë

“Dr. Sejdiu luajti një rol të rëndësishëm në afrimin e diasporës shqiptare në SHBA me Kosovën. Ne punuam pa u lodhur për organizimin e aktiviteteve kulturore, hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe lobimin për Kosovën në qarqet më të larta politike në New York dhe Washington, D.C.”, thuhet në letër.

Veprimtarët dhe intelektualët shqiptarë kanë vlerësuar se, në këtë periudhë, Kosovës i nevojitet një president që gëzon respekt të gjerë institucional dhe ka një histori të dëshmuar të shërbimit publik.

Ata kanë theksuar gjithashtu se përgatitja juridike dhe përvoja diplomatike e Sejdiut e bëjnë atë, sipas tyre, një kandidat të përshtatshëm për përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Lexo më shumë  VV-ja e LDK-ja pajtohen për emrin e Bekim Sejdiut për president

Në fund të letrës, grupi u ka bërë thirrje të gjitha partive politike në Kuvend që të bashkohen në mbështetje të kandidaturës së Sejdiut, me qëllim, siç kanë thënë, sigurimin e një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të prosperuar për Kosovën.

Letra është nënshkruar nga 28 veprimtarë dhe intelektualë shqiptarë në SHBA, përfshirë Harry Bajraktarin, Vehbi Bajramin, Ekrem Bardhën, Elmi Berishën, Mark Gjonajn, Joe Halitin, Richard Lukajn, Gani Shehun, Beqir Sinën, Jim Xhemën dhe të tjerë.

YouTube player