Bota

Gjermania përgatitet për sanksione të reja ndaj Rusisë, Merz akuzon Moskën për sulmin me dronë

Kancelari gjerman Friedrich Merz pritet të fajësojë Rusinë për sulmin e fundit me dronë në aeroportin e Leipzigut dhe të njoftojë sanksione të reja dhe të gjera ndaj Moskës, sipas raportimeve të Welt am Sonntag dhe Politico.

Sipas këtyre burimeve, qeveria gjermane po përgatit masa të menjëhershme kundër interesave ruse, të cilat mund të bëhen publike deri të martën, kur ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të takohen në Irlandë.

Një zyrtar gjerman i cituar nga mediat ka deklaruar se Berlini nuk e konsideron më të mjaftueshme dëbimin e diplomatëve rusë apo mbylljen e institucioneve ruse në Gjermani. Në shqyrtim janë sanksione më të ashpra dhe rritje e mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

Lexo më shumë  Gjykata federale bllokon përkohësisht rregullat e Trumpit për votimin me postë

Megjithatë, qeveria gjermane nuk ka konfirmuar zyrtarisht raportimet. Një zëdhënës i kancelarisë deklaroi se qeveria nuk merret me spekulime dhe se vendimi për përgjegjësinë do të merret vetëm pasi të vlerësohen rezultatet e hetimeve.

Sulmi i tentuar në aeroportin e Leipzigut ka shkaktuar shqetësim të madh në Berlin. Një nga dronët e pajisur me eksplozivë u zbulua mes avionëve transportues ukrainas Antonov. Merz kishte deklaruar më herët se personat përgjegjës për incidentin “do të paguajnë”.

Raportimet bëjnë gjithashtu të ditur se vlerësimet e disa agjencive amerikane të inteligjencës e lidhin Rusinë me sulmin e tentuar. Në Gjermani po hetohet paralelisht edhe zbulimi i një arke nëntokësore me armë dhe municione pranë një liqeni në afërsi të Berlinit, për të cilën dyshohet se mund të lidhet me përgatitjen e një akti të rëndë dhune kundër shtetit.

Lexo më shumë  Kongersisti amerikan Joe Wilson: Serbia nën Vuçiqin po kërcënon stabilitetin e rajonit

Dy zyrtarë të cituar nga Politico dhe Welt am Sonntag e kanë përshkruar kursin e ri të pritshëm të Berlinit si “Zeitenwende 2.0”, duke iu referuar “pikës së kthesës” të shpallur nga ish-kancelari Olaf Scholz pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Rruga Press

YouTube player