Mbërrin në 538 numri i viktimave të përmbytjeve katastrofike në Nepal
Numri i viktimave nga përmbytjet e menjëhershme në Nepal është rritur në 538, ka bërë të ditur Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin e Fatkeqësive në këtë vend aziatik, ndërsa operacionet për kërkimin dhe shpëtimin e personave të zhdukur po vazhdojnë.
Përmbytjet katastrofike kanë goditur zonën kufitare mes këtij shteti dhe Kinës, duke lënë pas dëme të mëdha dhe qindra persona të zhdukur. Para përditësimit të fundit, autoritetet nepaleze kishin raportuar 469 viktima dhe 977 persona të zhdukur, ndërsa më shumë se tre mijë persona ishin evakuuar me helikopter, raporton AP.
Operacionet e shpëtimit po zhvillohen në kushte të vështira. Policia e Nepalit ka lëshuar alarm të ri pasi ka marrë informacione se një digë në anën tibetiane është çarë, duke kërkuar nga ekipet e shpëtimit dhe banorët në zonat e rrezikuara të jenë në gatishmëri për përmbytje të tjera.
Në zonën e Rasuëa-s, pjesëtarët e ushtrisë po përpiqen të shpëtojnë njerëzit e bllokuar në një tunel të hidrocentralit Upper Trishuli-1. Balta ka mbuluar hyrjet dhe daljet, duke e vështirësuar ndjeshëm operacionin.
Sipas shkencëtarëve që kanë analizuar pamjet satelitore, katastrofa dyshohet se nisi pasi shkëmbinjtë nën një akullnajë në Himalaje u shembën, duke marrë me vete një pjesë të saj. Masa e shkëmbinjve dhe ujit të shkrirë fryu lumenjtë në luginat poshtë, duke krijuar një valë të fuqishme që mori përpara ndërtesa, ura dhe sasi të mëdha dheu në Tibet dhe Nepal.
Mes të zhdukurve janë edhe qindra shtetas të huaj. Bordi i Turizmit i Nepalit kishte bërë të ditur se më shumë se 500 të huaj rezultonin të zhdukur, përfshirë rreth 90 amerikanë. Disa prej personave për të cilët ende nuk ka informacion besohet se kishin udhëtuar drejt Malit Kailash në Tibet, vend i shenjtë për hindusët, budistët dhe besimtarë të tjerë.
Rruga Press

