ShBA shton presionin ndaj Vuçiqit – Ligjvënësit propozojnë sanksione dhe ndalime vizash
Dy ligjvënës amerikanë, një republikan dhe një demokrat, kanë ndërmarrë një nismë të përbashkët në Kongres që synon të rrisë presionin ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarëve që, sipas tyre, minojnë demokracinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Republikani Joe Wilson dhe demokrati Bill Keating, anëtarë të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, kanë prezantuar një projektligj që parashikon sanksione dhe kufizime vizash ndaj individëve që cenojnë proceset demokratike, paqen, stabilitetin dhe integritetin territorial në rajon.
Nisma vjen në një periudhë të ndjeshme për Serbinë, ku prej muajsh vijojnë protesta të mëdha studentore dhe qytetare kundër korrupsionit dhe mënyrës së qeverisjes.
Protestat nisën pas tragjedisë së nëntorit 2024 në Novi Sad, ku shembja e një tende në stacionin hekurudhor shkaktoi vdekjen e 16 personave. Demonstruesit kanë akuzuar autoritetet për korrupsion dhe keqmenaxhim të projekteve publike.
Wilson ka kritikuar ashpër politikën e Beogradit, duke akuzuar Vuçiqin se Serbia është larguar nga sundimi i ligjit dhe është afruar me Rusinë, Kinën dhe Iranin.
“Serbia ka nevojë për më mirë”, është shprehur ligjvënësi republikan, ndërsa Keating ka theksuar rëndësinë e demokracisë, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Serbisë.
Projektligji e përmend konkretisht Vuçiqin dhe shpreh shqetësim për përdorimin e forcës ndaj protestuesve. Ai kërkon gjithashtu hetim dhe përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad, si dhe masa për kufizimin e ndikimit të Iranit, Rusisë dhe Kinës në Serbi.
Në dokument thuhet se SHBA-ja ka interes për një Serbi “stabile, demokratike dhe sovrane”, të angazhuar për paqen rajonale dhe të orientuar drejt institucioneve euro-atlantike.
Megjithatë, nisma e ligjvënësve amerikanë vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Vuçiqit dhe administratës së Donald Trumpit janë konsideruar përgjithësisht të mira. Në korrik, SHBA-ja dhe Serbia zhvilluan dialogun e parë strategjik mes dy vendeve.
Ligjvënësit amerikanë kërkojnë që ky dialog të lidhet me përparimin e Beogradit në disa fusha, përfshirë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe të tubimit, si dhe marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin.
Nëse nuk konstatohen përparime në këto drejtime, projektligji parashikon mundësinë e ndërprerjes së dialogut strategjik ose kufizimit të financimeve të lidhura me të.
Ndërkohë, Vuçiqi ka paralajmëruar zgjedhje të reja presidenciale dhe parlamentare në tetor. Kjo e bën edhe më të rëndësishëm debatin në Uashington mbi standardet demokratike dhe mënyrën se si do të zhvillohet procesi zgjedhor në Serbi.
Rruga Press

