KryesoreLajme

Rama ndërron sërish makinën/ Një Mercedes S-Class i ri që kushton të paktën 121 mijë euro

Teksa largohej nga mbledhja e ditës së parë me ministrat në Pogradec, kryeministri Edi Rama u afrua i ngrysur tek Mercedesi Benz S-Class, ngjyrë e zezë që e priste parkuar në oborrin e vilës qeveritare. 

Derën e mjetit ndërkohë mbahej hapur nga shoqëruesi i tij. Sapo morën  sinjal se KM po afrohej, gardistët e tjerë u vunë menjëherë në lëvizje.

Rama u afrua shpejt. Me fytyrën e njeriut të ezauruar nga orët sfilitëse të punës për t’i gjetur zgjidhje halleve të këtij populli, ai u ul në sediljen e pasme të një nga mjeteve më të shtrenjta dhe më të sofistikuar në segmentin e sedanëve luksozë. 

Makina mban targën AC 753 ZN dhe nga specifikat e modelit, përputhet me Mercedes-Benz S 350 d 4MATIC, versioni hyrës me motor nafte të gamës së re të S-Class, siç duket në videon më poshtë:

Me një verifikim të thjeshtë dallohet automjeti që Mercedes-Benz e ka nxjerrë në porosi më 30 janar 2026.

Çmimi zyrtar fillestar në Gjermani për S 350 d 4MATIC është 121,356.20 euro, përfshirë 19% TVSH, pa përfshirë kostot e dorëzimit. 

Ky është modeli më i fundit i një prej linjave që Mercedes-Benz e përdor si vitrinën e teknologjisë dhe luksit të vet.

S-Class-i i ri: 121 mijë euro sa futesh në derë

YouTube player

S-Class i rifreskuar është një prej përditësimeve më të mëdha që Mercedes-Benz ka bërë brenda të njëjtës gjeneratë. (Shiko videon më lart)

Kompania thotë se rreth 2,700 komponentë, ose më shumë se gjysma e makinës, janë zhvilluar ose riinxhinieruar. Modeli i ri sjell një pjesë të përparme të ridizajnuar, grilë më të madhe të ndriçuar, teknologji të re Digital Light dhe një arkitekturë të re elektronike të bazuar te sistemi MB.OS.

S 350 d 4MATIC përdor një motor gjashtëcilindërsh 3.0-litërsh nafte, me 313 kuaj fuqi, plus 23 kuaj fuqi nga sistemi elektrik i integruar, sipas specifikimeve të modelit.

Rama ndërron sërish makinën/ Një Mercedes S-Class i ri

Interiori i mjetit Mercedes Benz S, prodhim i vitit 2026

Mercedes e pozicionon S-Class-in si modelin kryesor të gamës së vet dhe, në versionet më të pajisura, makina mund të shkojë shumë përtej çmimit bazë.

Kjo do të thotë se 121,356 euro janë çmimi fillestar zyrtar i makinës që po përdor Rama. Pajisjet shtesë, personalizimet, taksat dhe kostot e importit mund ta rrisin faturën.

Nuk ka aktualisht një dokument që të sqarojë nëse kjo makinë është blerë me paratë e buxhetit të shtetit, është marrë me qira nga kryeministria apo është makina e familjes Rama.

Lapsi.al iu drejtua zyrtarisht Kryeministrisë për të mësuar më shumë rreth automjetit të ri që përdor kryeministri Edi Rama, përfshirë mënyrën se si është vënë në dispozicion të tij, subjektin që e ka në pronësi dhe, mbi të gjitha, kostot dhe kushtet financiare të kontratës, nëse bëhet fjalë për një mjet të marrë me qira apo përmes një forme tjetër përdorimi.

Lexo më shumë  24 ditë protestë në Divjakë kundër reformës së Maznikut, qytetarët: Divjaka bashki!

Në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Lapsi.al është ende në pritje të përgjigjes së Kryeministrisë.

“Sa kushton makina e re e kryeministrit?” është një pyetje e përsëritur shpesh vitet e fundit.

Historia e mjeteve që ndërron Rama është trajtuar vazhdimisht në media.

Mercedesi i vjetër, S-Class i 2017

Në vitin 2022, ai kaloi për herë të parë në sediljen e një Mercedesi. Atëherë ishte një Mercedes-Benz S-Class, prodhim i vitit 2017.

Mjeti me targën AA 753 ZN, përflitej se kishte një vlerë në treg rreth 111 mijë dollarë. 

Mercedes-Benz S-Class që përdori Edi Rama pas vitit 2022 i përket gjeneratës ë222, një prej modeleve më prestigjioze të prodhuesit gjerman. Edhe ky një sedan luksoz, i konceptuar për të ofruar komfort, siguri dhe teknologji në nivelet më të larta të kohës.

Modeli i vitit 2017 ofronte një kabinë të pajisur me materiale premium, sedilje elektrike me funksione komforti, sisteme të avancuara multimediale dhe teknologji asistence për drejtuesin. 

S-Class konsiderohet prej dekadash një simbol i luksit dhe statusit dhe përdoret tradicionalisht nga drejtues shtetesh, biznesmenë dhe figura të rëndësishme publike.

GMC me qira dhe spekulimet se makina ishte e blinduar

Rama ndërron sërish makinën/ Një Mercedes S-Class i ri

Model GMC, i ngjashëm me atë që ka përdorur në të shkuarën kryeministri Edi Rama

Më herët, deri në vitin 2021, Rama lëvizte me një GMC Yukon XL, një SUV amerikan i personalizuar, që shkaktoi menjëherë debat për çmimin dhe origjinën e tij.

Fillimisht në media u spekulua se makina ishte e blinduar, por këshilli i ministrave sqaroi se kjo nuk ishte e vërtetë.

Sipas zyrës së Kryeministrisë, GMC-ja ishte në pronësi të një subjekti privat dhe ishte marrë me qira nga Partia Socialiste. 

“Automjeti nuk ka elemente te veçanta sigurie. Ai është marre pasi automjeti i mëparshëm ne përdorim te Kryetarit te PS, nuk plotësonte me standardet e lëvizjes për shkak te amortizimit si pasoje e vjetërsisë dhe numrit te madh te kilometrave te kryer. Me këtë rast theksojmë se kryeministri nuk ka blere një automjet te ri me fondet e buxhetit te shtetit, qysh nga ardhja e tij ne detyre” thuhej në reagimin e kryeministrisë. 

Më herët, prej vitesh Rama kishte përdorur një Lincoln, për të cilin sqaroi se ia kishte sjellë vëllai kur ai ishte ende në opozitë, në vitin 2009.

Rama ndërron sërish makinën/ Një Mercedes S-Class i ri

Makina tip Lincoln e përdorur nga Rama në mandatin e parë qeverisës

Lexo më shumë  Britania mbështet përpjekjet e Kosovës për identifikimin e mbetjeve mortore në Zubin Potok

Në atë periudhë makina u bë objekt akuzash nga opozita; dhe sërish Ramës iu desh ta mohonte se mjeti ishte i blinduar.

Në harkun e disa viteve, shijet e Ramës për makina janë bërë gjithnjë e më të shtrenjta. Nga Lincolni që e sjell vëllai nga SHBA, më pas tek GMC me qira, më pas një Mercedes-Benz S-Class të 2017, dhe tani një tjetër S-Class i gjeneratës së fundit, i dalë në treg disa muaj më parë.

Propaganda për imazhin e njeriut të thjeshtë

Përdorimi i një automjeti të sigurt nga një kryeministër nuk është automatikisht një skandal. Kreu i qeverisë është një person me detyrë të lartë shtetërore dhe siguria, protokolli, komoditeti dhe nevoja për lëvizje të shpejtë mund të justifikojnë përdorimin e mjeteve të shtrenjta.

Rama ndërron sërish makinën/ Një Mercedes S-Class i ri

Pamje e brendshme e mjetit Mercedes S-Class, prodhim i 2026 që përdor Edi Rama

Për më tepër është detyrim i qeverisë të bëjë transparencë për shpenzimet e kryeministrit që në këtë rast duhet të jetë shembulli i parë i llogaridhënies për vartësit e tij.

Por përtej kësaj, duhet vënë në dukje përpjekja e Ramës për t’u shitur para qytetarëve si ndonjë Sokrat i vuajtur, si ndonjë eremit që e përbuz rregullisht luksin dhe nga maja e asketizmit, tregon me gisht “derrat e kënaqur” të zhytur në luks dhe blerje të shtrenjta.

Jo shumë kohë më parë, në mars 2025, kur iu përgjigj dëshmisë së Arben Ahmetajt, që e akuzoi kryeministrin se konsumonte në zyrë verën 33 mijë euro shishja, Rama betohej se gjatë 12 viteve në qeveri mund të kishte ngrënë në restorante vetëm rreth 30 herë, prej të cilave 25 me familjen.

Madje, për të treguar se nuk i ishte dorëzuar babëzisë së stomakut, ai tregoi se ndonjëherë rrinte edhe 2 ditë pa ngrënë.

“Unë mund të rri pa ngrëne edhe mbi dy ditë, nuk e kam problem. Nëse arrin të bësh një cikël prej 48 orësh vetëm me ujë, është shumë pozitive për organizimin. Për mua është normale të ha vetëm një vakt, vetëm në darkë natyrisht në shpi” shprehej kryeministri.

Natyrisht që këto deklarata bëhen për të krijuar portretin e politikanit që ha pak, punon shumë dhe e konsideron veten pothuajse të shkëputur nga kënaqësitë e zakonshme materiale. Por edhe sikur të ishte ashtu, Rama duket se kursen deri në qindarkën e fundit kur vjen puna tek biletat e familjes së tij dhe tek shpenzimet e vera, por shpërdoron pa hesap kur paratë i paguajnë populli më i varfër i Evropës./Lapsi.al

YouTube player