Nga “Politika” te propaganda pro-ruse, Stojkoviq: Si i mori Vuçiq nën kontroll mediat dhe e orientoi Serbinë drejt Kremlinit
Avokati serb Çedomir Stojkoviq ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për një skemë të gjatë të manipulimit të mediave dhe orientimit të opinionit publik drejt narrativave pro-Kremlinit.
Stojkoviq, përmes një shkrimi të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, i është drejtuar Bashkimit Evropian, duke paraqitur atë që ai e përshkruan si një seri hapash përmes të cilëve, sipas tij, Vuçiq ka konsoliduar kontrollin mbi disa media të rëndësishme në Serbi.
Sipas avokatit serb, gjithçka kishte nisur në vitin 2014, kur Vuçiq kishte zhvilluar një takim me biznesmenin Miroslav Bogiçeviq, me kërkesën që ai t’ia dorëzonte kontrollin mbi mediat që kishte blerë para ardhjes së Vuçiqit në pushtet, përfshirë “Novosti”, “Politika” dhe “Dnevnik”.
Stojkoviq thotë se Bogiçeviq nuk kishte pranuar menjëherë kërkesën dhe se përgjigjja e tij kishte qenë se do ta mendonte. Pas kësaj,ndaj kompanisë së Bogiçeviqit u ndërmorën veprime që çuan në bllokimin e saj dhe më pas në falimentim, ndërsa pasuria e kompanisë u shit.
Avokati shton gjithashtu se arrestimi i Bogiçeviqit ishte pjesë e së njëjtës skemë, ndërsa procesi i falimentimit, sipas tij, u menaxhua nga persona të emëruar nga Vuçiq.
Në hapin pasues të skemës që përshkruan Stojkoviq, mediat në fjalë përfunduan në duart e bashkëpunëtorëve politikë të Vuçiqit dhe më pas u vendos një drejtim editorial që ai e konsideron pro-rus.
Stojkoviq e akuzon Vuçiqin se më pas i ka paraqitur këto zhvillime para Evropës si procese të zhvilluara në përputhje me ligjin dhe pa ndërhyrjen e tij politike.
Sipas tij, pas kalimit të viteve, këto media kanë shërbyer për përhapjen e narrativave që favorizojnë Rusinë.
Si shembull, ai përmend reagimin ndaj zjarreve në Serbi, duke thënë se Vuçiq nuk kërkoi ndihmë nga Bashkimi Evropian, por nga Rusia, ndërsa mediat e afërta me të e paraqitën ardhjen e një avioni rus si dëshmi se Rusia kishte “shpëtuar Serbinë”.
Stojkoviq thekson se pasojat e kësaj propagande janë reflektuar edhe në opinionin publik serb, duke thënë se një pjesë e madhe e popullsisë është orientuar drejt qëndrimeve pro-Kremlinit.
Në shkrimin e tij, ai kritikon edhe mënyrën se si, sipas tij, disa vende evropiane e kanë interpretuar politikën e Vuçiqit pas vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Serbi.
Sipas Stojkoviqit, organizimi i një vizite të tillë është përdorur për të krijuar përshtypjen se Vuçiq ka ndryshuar kursin politik dhe është distancuar nga Moska.
Ai e cilëson këtë si një keqinterpretim dhe thotë se Vuçiq, duke u mbështetur në këtë perceptim evropian, ndihet më i sigurt për të ndërmarrë hapa edhe më të afërt me Kremlinin.
“Vite kalojnë derisa dikush si unë t’ju shpjegojë se gjithçka ishte manipulim i Vuçiqit”, shkruan Stojkoviq, duke shtuar se më pas presidenti serb gjen një tjetër figurë politike për ta përdorur në mënyrë që, sipas tij, të manipulojë perceptimin e Evropës.
Stojkoviq e përmbyll shkrimin me një mesazh drejtuar Bashkimit Evropian, duke argumentuar se përgjegjësia për këtë situatë nuk qëndron vetëm te Vuçiqi, por edhe te mënyra se si institucionet evropiane e vlerësojnë dhe interpretojnë veprimet e tij.
Rruga Press

