KryesoreLajme

Nga “Diella” te Kuvendi, boshllëqet e shtetit digjital

E veshur me kostumin tradicional të Zadrimës, “Diella” u prezantua fillimisht si asistente virtuale në platformën qeveritare e-Albania dhe më pas u shpall ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale.

Por një investigim i ekspertit të pavarur të sigurisë kibernetike Patrick Quirk, i cili prej fillimit të vitit 2026 po hulumton sigurinë e disa prej sistemeve digjitale të institucioneve shqiptare, ka ngritur pikëpyetje që sfidojnë narrativën e qeverisë se Shqipëria është një vend që kryeson listat e sigurisë kibernetike dhe krenohet si i pari vend që ka në kabinet një ministër të krijuar nga AI.

Në qendër të investigimit ishte infrastruktura digjitale e Kuvendit të Shqipërisë dhe një ndërfaqe API-je, një kanal teknik që u mundëson programeve të ndryshme të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe të marrin të dhëna nga një sistem.

Sipas Quirk, një prej kanaleve të faqes së Kuvendit mund të aksesohej nga interneti pa kërkuar emër përdoruesi apo fjalëkalim. Përmes tij mund të merreshin të dhëna dhe dokumente nga sistemet e Kuvendit.

“Gjashtë nga shtatë u përgjigjën”, shkruan Quirk, duke iu referuar shtatë adresave të sistemit që testoi. Sipas tij, gjashtë prej tyre kthenin të dhëna pa kërkuar identifikim, ndërsa vetëm njëra kërkonte autentifikim.

Një prej këtyre adresave, e emërtuar “anëtaret”, kthente 236 regjistra me të dhëna për deputetët. Mes tyre ishin emri, emri i babait, datëlindja, vendlindja, email-i zyrtar, partia, qarku, fotografia dhe lidhjet e rrjeteve sociale.

Citizens.al kontaktoi me Kuvendin e Shqipërisë dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për një reagim mbi ekspozimin e këtyre të dhënave, por nuk mori përgjigje.

Quirk thotë se një adresë tjetër, e emërtuar “dokumentet”, i dha akses në një katalog me dhjetëra mijëra lidhje drejt dokumenteve të ruajtura online. Gjatë testimeve të kryera në shkurt dhe prill 2026, ai thotë se arriti të mblidhte 52,942 skedarë, me një volum të përgjithshëm prej 32.09 GB.

Sipas investigimit, arkivi përmbante 30,455 dokumente PDF, 376 skedarë Excel dhe 729 dokumente Word. Mes tyre përmenden materiale të komisioneve, raporte dhe dokumente parlamentare, të dhëna administrative, si dhe skedarë me të dhëna për pagat dhe përfitimet e deputetëve.

Lexo më shumë  Dita e 83 e protestës/ Nis marshimi i qytetarëve nga sheshi “Skënderbej”, drejt Kryeministrisë: Shqipëria kërkon revolucion

“Çdo URL individuale e skedarëve të katalogut ishte e aksesueshme publikisht me leje vetëm për lexim (‘public-read’). Ndër skedarët kishte tabela mujore ‘Paga deputetë’ dhe ‘Përfitime deputetë’, regjistra të kërkesave për informacion, regjistrin e lobistëve, tabela buxhetore, Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe raporte vjetore”, thuhet në hulumtim.

Nga Diella te “pasiguria” kibernetike

Krahas sistemeve të Kuvendit, Quirk analizoi edhe infrastrukturën digjitale që qëndron pas Diellës. Ai thotë se e nisi hulumtimin në janar 2026, duke shqyrtuar kodin që ngarkohet në shfletuesin e përdoruesit, pra pjesën publike të faqes që shohim kur hapim sistemin.

Sipas tij, në këtë pjesë ekzistonin ndërfaqja dhe mekanizmi i hyrjes, por ai nuk gjeti prova të dukshme publikisht për një model të inteligjencës artificiale që funksiononte pas tyre.

Në reagimin e publikuar në faqen zyrtare në Instagram, AKSHI u përqendrua tek pjesa e investigimit mbi Diellën, pa iu përgjigjur gjetjeve mbi dokumentet e Kuvendit që, sipas Quirk, ishin aksesuar pa autentifikim. Citizens.al i kërkoi agjencisë sqarime mbi pretendimet e lëna pa trajtuar në reagimin publik, por nuk mori përgjigje.

Për Diellën, AKSHI sqaroi se faqja që sheh qytetari është vetëm “ndërfaqja e sistemit, jo vetë sistemi”.

“Kur një qytetar i kërkon Diellës një dokument, kërkesa përpunohet në infrastrukturën qeveritare, ku funksionon sistemi i inteligjencës artificiale i zhvilluar nga AKSHI në bashkëpunim me Microsoft, duke përdorur modele të OpenAI në Azure. Faqja është ajo që shihet; sistemi që kryen punën ndodhet pas saj”, argumenton AKSHI.

Agjencia shton se vetëm analiza e kodit të ndërfaqes publike nuk mund të përcaktojë arkitekturën, modelet apo logjikën që funksionon në backend, pra në infrastrukturën e brendshme të sistemit.

Për Diellën, mospajtimi lidhet me kufijtë e asaj që mund të verifikohet nga jashtë: Quirk thotë se në pjesën publike nuk gjeti prova për backend-in e modelit, ndërsa AKSHI përgjigjet se ai ndodhet në infrastrukturën qeveritare dhe nuk ekspozohet në faqen publike.

Lexo më shumë  Fermerët në Shqipëri paralajmërojnë protesta në shtator, kërkojnë rritje subvencionesh dhe rikthimin e naftës pa akcizë

AKSHI është institucioni që ndërton dhe administron infrastrukturën digjitale të shtetit shqiptar dhe që ka zhvilluar edhe Diellën. Në dhjetor 2025, agjencia u vendos në qendër të një hetimi të SPAK-ut për procedurat e saj të prokurimit.

Hetimi çoi në masën e arrestit shtëpiak për drejtoreshën e atëhershme të AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, të cilën kryeministri Edi Rama e mbrojti publikisht duke e cilësuar të pafajshme. Çështja përfshin 12 procedura tenderimi dhe dyshime për një skemë të organizuar manipulimi të prokurimeve publike.

Më 11 gusht 2026, kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ishte renditur e para në botë në Indeksin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, me 98.33 pikë.

Ky indeks nuk është një test që kontrollon në kohë reale çdo server apo faqe qeveritare. Ai vlerëson përgatitjen e një vendi për të parandaluar dhe menaxhuar kërcënimet kibernetike, duke analizuar kuadrin ligjor, institucionet, kapacitetet dhe rezultatet e dokumentuara në këtë fushë.

Metodologjia zyrtare parashikon që informacioni i përdorur për përllogaritjen e indeksit mund të vijë nga zyrtarë qeveritarë, burime të tjera ose nga vetë ekspertët e indeksit. Pra, rezultati nuk përbën një auditim teknik të të gjitha sistemeve shtetërore. Të qenit i pari në një indeks të gatishmërisë kibernetike nuk do të thotë se çdo sistem shtetëror është i paprekshëm.

Historia e incidenteve në Shqipëri e dëshmon këtë dallim. Në vitin 2021 u publikuan të dhëna personale të qytetarëve, ndërsa në dhjetor të po atij viti u ekspozuan të dhënat e pagave. Në vitin 2022, infrastruktura qeveritare u godit nga një sulm i madh kibernetik, të cilin autoritetet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë ua atribuuan aktorëve shtetërorë iranianë. Në mars 2026 u raportua një tjetër sulm ndaj infrastrukturës së Kuvendit. /citizens.al/

YouTube player