Dogana e Kosovës kap një dylbi të destinuar për përdorim me pushkë snajper në pikëkalimin kufitar Kullë
Në hyrje të pikëkalimit kufitar në Kullë, Dogana e Kosovës gjatë një kontrolli të një automjeti ka zbuluar një pajisje të dyshuar për përdorim ushtarak.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës të datës 20.08.2026, pajisja ishte dylbi e destinuar për përdorim me pushkë snajper, për të cilën nuk janë paraqitur dokumentet apo autorizimet përkatëse.
Automjeti në të cilin është gjetur pajisja ishte me targa të huaja dhe i drejtuar nga një shtetas i Republikës së Kosovës.
Siç bëhet e ditur në njoftim, malli është ndaluar, ndërsa ndaj personit është iniciuar procedura kundërvajtëse dhe procedura të tjera administrative.
“Malli është ndaluar nga Dogana, ndërsa ndaj personit janë ndërmarrë masat përkatëse dhe është iniciuar procedura kundërvajtëse dhe procedura të tjera administrative, në pajtim me legjislacionin në fuqi.” – thuhet në njoftim.
Dogana ka bërë të ditur se personi i dyshuar gjatë intervistimit nuk kishte deklaruar ndonjë mall, por pas dyshimeve të zyrtarëve doganor, është kryer kontrolli i detajuari i automjetit.
“Sipas Kodit Nr. 08/L-247 Doganor dhe të Akcizave, mallrat që hyjnë në territorin doganor të Republikës së Kosovës i nënshtrohen mbikëqyrjes dhe kontrolleve doganore dhe, kur është e zbatueshme, edhe ndalesave dhe kufizimeve që lidhen, ndër të tjera, me sigurinë publike. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në kontrollin e kufijve dhe në parandalimin e hyrjes së mallrave të rrezikshme, të kufizuara apo të palejuara, duke garantuar zbatimin e legjislacionit dhe mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve.” – thuhet në njoftim.
Rruga Press

