Norvegjia forcon brigadën në Arktik, rrit gatishmërinë përballë kërcënimit rus
Norvegjia ka forcuar ndjeshëm Brigadën Finnmark, njësinë ushtarake të vendosur në veri të vendit pranë kufirit me Rusinë, në një tjetër hap për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit në një kohë tensionesh të larta në Evropë.
Brigada Finnmark, e krijuar vitin e kaluar, është brigada e dytë e ushtrisë norvegjeze dhe e para që formohet në vend që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Të dyja brigadat norvegjeze kanë selitë në zonën e Rrethit Arktik.
Norvegjia ka rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë. Rritja e shpenzimeve ushtarake është nxitur edhe nga presioni i Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve evropiane për të shtuar kontributin e tyre në mbrojtjen kolektive të NATO-s.
Këtë vit, Norvegjia pritet të shpenzojë rreth 3.17% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, krahasuar me rreth 1.5% në vitin 2014.
Brigada Finnmark ka pasur si një nga detyrat kryesore monitorimin dhe patrullimin e kufirit rreth 198 kilometra të gjatë me Rusinë. Tashmë ajo është pajisur me një batalion artilerie, një bateri të mbrojtjes ajrore dhe një kompani komunikimi.
Përmes këtyre përforcimeve, njësia ka fituar kapacitete më të mëdha për goditjen e objektivave në distanca deri në 40 kilometra, si dhe për koordinimin e operacioneve me avionë dhe anije të forcave norvegjeze dhe të NATO-s.
“Ne do t’i përgjigjemi çdo kërcënimi dhe sulmi kundër Norvegjisë dhe NATO-s. Ne do të mbrojmë çdo centimetër”, deklaroi ministri norvegjez i Mbrojtjes, Tore Sandvik, për Reuters.
Ndërkohë, gjenerali i brigadës John Olaf Fuglem e cilësoi përforcimin si një rritje të ndjeshme të fuqisë së zjarrit të njësisë.
Forcimi i Brigadës Finnmark vjen në një kohë kur vendet nordike po rrisin kapacitetet e tyre ushtarake dhe po i kushtojnë vëmendje të shtuar mbrojtjes së territoreve veriore, për shkak të rëndësisë strategjike të rajonit Arktik dhe afërsisë me Rusinë.
Rruga Press

