Vrasja e turistit portugez- Shkon në 12 numri i të arrestuarve, pronari i “Principote” në Ksamil shpallet në kërkim
Ka shkuar në 12 numri i personave të arrestuar në lidhje me vrasjen e turistit portugez nga roja i plazhit të hotel “Principotes” në Ksamil.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se veç autorit Sokrat Vata dhe personave të tjerë, në pranga ka përfunduar edhe Moisid Matushaj, 24 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër.
Ai dyshohet se ka ndihmuar 29-vjeçarin Sokrat Vata të largohej pas vrasjes së 20-vjeçarit portugez. Nga hetimet e policisë rezulton se Matushaj punonte si bodyguard i kompanisë “Elite Security”, së bashku me Sokrat Vatën, në lokalin “Principote”.
Dyshohet se ai e ka ndihmuar Vatën të largohej nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë është shpallur në kërkim pronari i lokalit “Principotes”, Bekim Bulica. Bulica rezulton pronari në hije i hotelit të njohur në Ksamil, ndërsa në dokumente, pronare figuron nëna e tij, Kade Bulica, 72 vjeçe.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja dyshohet se ka nisur pas një konflikti për motive të dobëta.
29-vjeçari Sokrat Vata, banues në Has dhe i punësuar si roje plazhi në hotelin “Principotes”, u largua nga vendi i ngjarjes pas krimit. Pas kontrolleve të policisë, ai është lokalizuar dhe arrestuar në Fier.
Rruga Press

