Ibishi: Hapja e urës mbi Ibër, e arritur e jashtëzakonshme për integrimin e veriut
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, e ka cilësuar si të jashtëzakonshme konfirmimin nga Brukseli për përmbushjen e kushteve për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Ibishi ka thënë se vendimi do të ketë ndikim në integrimin e veriut të vendit.
Sipas tij, në krijimin e kushteve të sigurisë për hapjen e urës kanë ndikuar Policia e Kosovës, institucionet e tjera të sigurisë, por edhe vetëpërmbajtja e komuniteteve që jetojnë në veri dhe jug të Mitrovicës.
“Në rend të parë Policia e Kosovës, por edhe inteligjenca dhe të gjitha shërbimet e tjera të Kosovës kanë bërë që të krijohen kushtet e volitshme dhe një klimë e përshtatshme e sigurisë. Natyrisht, edhe të gjitha komunitetet që jetojnë atje, në veri dhe në jug, kanë bërë që me një përmbajtje dhe kontroll të mos ketë incidente”, ka deklaruar Ibishi.
Ai e ka vlerësuar gjithashtu rolin e KFOR-it, EULEX-it dhe Bashkimit Evropian në krijimin e kushteve për tejkalimin e kësaj situate.
“Fatmirësisht edhe KFOR-i, edhe EULEX-i, por edhe Bashkimi Evropian më në fund dhanë dritën e gjelbër që kjo situatë të tejkalohet. Në përgjithësi mendoj që është një e arritur e jashtëzakonshme, e cila do të marrë edhe përmasa të integrimit të veriut”, është shprehur ai.
Sa i përket kohës kur pritet të hapet ura, Ibishi ka deklaruar se procesi nuk pritet të zgjasë shumë, por ka theksuar se bartja e kompetencave tek Policia e Kosovës do të bëhet gradualisht.
“Mendoj që nuk do të marrë shumë kohë. Mjafton kjo nismë dhe në vazhdimësi do të ndodhë ajo që është thënë nga KFOR-i, EULEX-i, por edhe Policia e Kosovës, që në mënyrë graduale të barten kompetencat tek Policia e Kosovës. Dhe jo vetëm urat, por edhe objektet e tjera të Kosovës, si Manastiri i Deçanit. Pra, mendoj që nuk do të marrë shumë, por do të jetë një proces gradual”, ka thënë Ibishi.
Ndërkohë, duke komentuar reagimin e Listës Serbe ndaj vendimit të Brukselit, Ibishi ka mohuar mundësinë e një eskalimi të situatës në veri.
Ai e ka vlerësuar reagimin si një përpjekje të fundit për të kundërshtuar procesin e integrimit.
“Lista Serbe vetëm i transmeton kërkesat e Vuçiqit dhe Beogradit, por ajo nuk e ka më atë fuqi të ekstremistëve që ka pasur në terren për të bërë eventualisht ndonjë bllokadë apo pengim të lëvizjes së lirë, deri edhe në ndërmarrjen e masave me pasoja të rënda”, ka deklaruar ai.
Sipas Ibishit, reagimi i Listës Serbe është një përpjekje për të penguar integrimin e veriut.
“Kjo është vetëm një tentativë e fundit që ata po mundohen në formë destruktive, në vend që të bëjnë integrimin e veriut, ata po mundohen të bëjnë të kundërtën. Por reagimi i tyre është për t’u gjykuar”, ka përfunduar Ibishi.
Rruga Press

