Opinion/Aktualitet

Dora e padukshme që lidh Artur Shehun me familjen e presidentit amerikan

Si shpjegohet që një numër i pafundëm mediash botërore po vënë theksin tek fakti se në Shqipëri, Jared Kushner u implikua në biznes me një të dyshiar si narkotrafikant

Në shtypin ndërkombëtar janë bërë gjithnjë e më të shpeshtë artikujt që e lidhin emrin e një personazhi kontrovers, të përforur si një eksponent i botës së krimit, Artur Shehut, me investimin e Zvërnecit, të cilit i kanë dalë për zot vajza e presidentit Trump, Ivanka dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner.

Në një shkrim të disa ditëve më parë, e përditshmja konservatore amerikane Wall Street journal botoi një investigim me një titull shumë të fortë ku binte në sy një titull bombastik dhe mbi të gjitha fotot e Shehut dhe Kushnerit, përkrah njëri tjetrit, në bardh e zi, sikur të bëhej fjalë për dy eksponentë të mjedisi të errët. Por ajo që të tërhiqte më shumë vëmendjen në artikullin e WSJ, ishte një e dhënë tjetër.

Dihet që SPAK e shpalli përndjekjen ndaj grupit të dyshuar të narkotrafikantëve të Amerikës Latine që pastronin paratë në ndërtim, në vendin tonë, menjëherë sapo kishin filluar protestat e flamingove kundër investimit të Zvërnec. Pyetja e parë që u bë atëhere ishte: a kishte lidhje mes këtyre dy fakteve? A po vepronte SPAK nën presion? A po luante kush fijet nën rrogoz?

Shkrimi i WSJ, në një paragraf të tij jep një përgjigje. “Situata ndryshoi në muajin qershor. Hetuesit evropianë të antidrogës në Spanjë, Belgjikë dhe disa vende të tjera i dorëzuan një sasi të madhe materialesh Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, citohet aty duke u kjudesur të theksohet se Artur Shehu ndiqej në aktivitetin e tij që së paku në vitin 2019. Atëhere, pse dosja u dorëzua pikërisht në momentin që ishin mbarsur protestat për Zvërnecin? Mos vallë për të krijuar efektin që në fakt ndodhi: prodhimin e titujve për lidhjen e familjes Trump me një narko trafikant?

Vetë Edi Rama, që i ka fryrë hipotezat për një konspiracion është munduar ta shpjegojë disa herë, mbulimin mediatik të protestave në Tiranë me sponsorizimin që kësaj zhurme i bëhet nga kundërshtarët e Donald Trumpit. Të tjerë hedhin pandehma se janë shërbimet sekrete amerikane që e kanë nxitur këtë denoncim, nga meraku që të ruanin familjen presidenciale ndandonjë skandal, nëse investimi në Zvërnec do bëhej fakt i kryer. Sipas tyre Ramës nuk do ti falet kurrë fakti që e futi Ivankën dhe Jaredin në këto andrrala të njollosjes me kriminelë.

Lexo më shumë  Në këtë klimë mosbesimi që ka kultivu spektri politik, është problem me i besu edhe LDK-së

Por, përpos këtyre pandehmave një gjë është fakt. Gjithnjë e më shumë media ndërkombëtare po e asociojnë investimin ku kryeministri ynë e involvoi Kushnerin me aspektin kriminall të pronarëve që kanë rëmbyer tokat e Zvërnecit dhe më 120 milionë dollarët e paguara për ta dhe të bllokuara nga SPAK. Fill pas artikullit të WSJ-së, gazeta berlineze Junge Welt, ngrinte një pyetje të habitshme: A do të pranonte SHBA ekstardimin në Tiranë të Artur Shehut, ashtu sikurse bëri Greqia me personazhin ndërtues që figuron në të njëjtën dosje Ilir Shtufin? Edhe këtu vendin kryesor e zinte historia kontroverse e Shehut dhe dyshimet e tij për lidhje me botën e krimit.

Në mënyrë kurioze i njëjti refren u përsërit të mërkurën në faqen web të njërit prej televizioneve më të mëdhej izraelitë. Me titullin “Një vend pushimi ëndrrash në zemër të një skandali pastrimi parash: Marrëveshja masive në Shqipëri e Jared Kushner po bëhet e ndërlikuar”, aty theksohej kjo lidhje problematike. “Projekti faraonik i pasurive të patundshme i Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Shqipëri ka hasur në një pengesë të re: grupi i zhvilluesve pagoi më shumë se 120 milionë dollarë për një parcelë toke bregdetare, dhe rezulton se shitësi është një bos ndërkombëtar droge i dyshuar se ka mashtruar banorët vendas. Ndërsa dhjetëra mijëra protestues dolën në rrugë, autoritetet ngrinë fondet, të dyshuara për pastrim parash” shkruante gazetari, Daniel Arazi.

I njëjti lajtmotiv përsëritej edhe në artikullin e revistës prestigjoze Gjermane “Der Spiegel”.

“Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, planifikon të ndërtojë një resort/vendpushim luksoz me vlerë shumë miliarda dollarë në bregdetin shqiptar. Ndërkohë, prokuroria publike po heton projektin, ndër të tjera për çështje që lidhen me pastrimin e parave dhe trafikun e kokainës. Në Shqipëri ka edhe protesta kundër projektit, të cilat po bëhen gjithnjë e më të mëdha” thuhej në artikullin e shkruar nga Jörg Schindler publikuar më 13 gusht 2026 në revistën gjermane.

Shkrimin e parë në këtë linjë e pati botuar agjensia Reuters e cila, qe një nga mediat më të mëdha që vendosi ti transmetonte live protestat. “Një biznesmen me bazë në Miami, i kërkuar në Shqipëri për dyshimin e pastrimit të parave të drogës, dyshohet se ka falsifikuar aktet e pronësisë së tokës ku Jared Kushner dëshiron të ndërtojë një vendpushim multi-miliardë dollarësh” njoftoi Reuters duke shtuar se “Në prill, Shehu ia shiti rripin e bregdetit të paprekur shqiptar për resortin e planifikuar Albania Land Development, një kompani që është në pronësi të zhvilluesve të projektit të mbështetur nga Kushner, Sazan Real Estate Development dhe investitorëve të tjerë”.

Lexo më shumë  Në këtë klimë mosbesimi që ka kultivu spektri politik, është problem me i besu edhe LDK-së

Në atrikullin e datës 11 korrik nënvizohej gjithashtu: “Kryeministri Edi Rama i tha Reuters muajin e kaluar se ishte një projekt “i bukur” dhe do të vazhdonte pavarësisht kësaj. I pyetur në lidhje me akuzat në dosjet e çështjes kundër Shehut, një zëdhënës i qeverisë tha se qeveria nuk do të ndërhynte në transaksionet private, por se projekti po vazhdonte në përputhje me ligjet e Shqipërisë dhe të BE-së. Brukselit i ka bërë më parë thirrje Shqipërisë, si kandidate për anëtarësim në BE, që t’i përmbahet rregullave mjedisore të BE-së në lidhje me projektin. Një zëdhënës i Komisionit ekzekutiv të BE-së nuk dha komente shtesë për këtë histori”. 

Pak a shumë në të njëjtën kohë edhe amerikanja “Miami New Times” i kishte kushtuar vëmendjen kësaj ngjarjeje:”Një rezidencë buzë detit në “Flamingo Drive”, një zonë ekskluzive e Miami Beach duket një vend i pamundur për t’u bërë selia e një prej betejave më të diskutueshme të pasurive të patundshme në Ballkan. Por sipas një investigimi gjithëpërfshirës nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), pikërisht aty investitori shqiptar Artur Shehu drejtoi një përpjekje njëvjeçare për të blerë tokë në bregdet në vendin e tij të lindjes – pronë që tani përbën themelin e resortit luksoz të propozuar prej 1.4 miliardë dollarësh të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Shqipëri” shkruante ajo.

Pra nuk ka dyshime se lidhja që Edi Rama i bëri familjes Trump me kontroversin Artur Shehu tani është bërë një temë e preferuar e mediave ndërkombëtare. I vetmi aspekt që mbetet të kuptohet është nëse pas këmbënguljes tek ky refren fshihet ndonjë dorë e padukshme, që do i jepte hov teorive konspirative, apo vërtet skandali është aq i madh sa ka tërhequr në mënyrë “të pafajshme” interesin e kaq shumë mediave./Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player