Republika përballë njeriut kaqol
Nga Sadri Ramabaja
Të kesh aftësi gjykimi nuk do të thotë thjesht të kesh një opinion. Do të thotë të jesh i aftë t’ia besosh gjykimin një instance më të epërme se vetja; t’i nënshtrosh idetë, bindjet dhe vendimet e tua arsyes; dhe, mbi të gjitha, të pranosh se e vërteta nuk është pronë individuale. Të besosh, pra, se forma më e lartë e bashkëjetesës njerëzore është dialogu, përmes të cilit ne i vëmë vazhdimisht në provë arsyet e ideve tona.
Në këtë kuptim mund të kuptohet edhe mendimi i José Ortega y Gasset për “njeriun e masës”: jo thjesht si individ i zakonshëm, por si një tip njerëzor që e humb nevojën për vetëgjykim dhe e zëvendëson arsyen me bindjen se ajo që mendon vetë, ose ajo që mendon turma, mjafton si kriter i së vërtetës.
Ajo që pamë dje nga disa deputete që identifikohen me opozitën ishte, për një çast, pikërisht e kundërta e kësaj kulture të gjykimit. Ishte një demonstrim i asaj që mund ta quajmë njeri kaqol: individi që nuk ndien më nevojën t’i drejtohet një instance më të lartë se vetja — arsyes, argumentit, dialogut dhe përgjegjësisë ndaj normës.
Dhe kjo është ajo që na turpëron, edhe kur e shohim nga larg.
Sepse problemi nuk qëndron thjesht te një sjellje e pahijshme në një skenë politike. Problemi është shumë më i thellë: refuzimi i arsyes si mënyrë e bashkëjetesës politike.
Demokracia nuk është vetëm procedurë numerike. Ajo është, para së gjithash, një kulturë e kufizimit të vetvetes përballë tjetrit. Në parlament, askush nuk e zotëron të vërtetën vetëm pse ka vota, mandat apo mikrofon. Deputeti mund të ketë shumicën, por nuk e ka monopolin e arsyes; opozitari mund të ketë pakicën, por as ai nuk fiton të drejtën vetëm duke e ngritur zërin.
Argumenti është valuta e vërtetë e demokracisë.
Kur kjo valutë zëvendësohet me britma, përqeshje, poshtërim, bllokim apo teatralitet politik, debati publik degradohet në një garë primitive për dominim. Dhe në këtë pikë, politika pushon së qeni art i bindjes dhe shndërrohet në teknikë të turmës.
Pikërisht këtu duhet lexuar edhe sjellja e opozitës në krizën e tanishme institucionale. Opozita tash po e tregon, me apo pa dashje, të vërtetën e vet politike: krejt kjo hallakamë institucionale duket se po zhvillohet, në thelb, për një çështje shumë më prozaike — që zgjedhjet të mos mbahen në datën që nuk i konvenon.
Pra, zgjedhjet i duan; ajo që duan mbi të gjitha është data e përshtatshme për veten.
Paradoksi bëhet edhe më i madh kur kjo kërkesë maskohet pas retorikës për “themelimin e institucioneve”, ndërkohë që pikërisht ata që pretendojnë se po kërkojnë funksionalizimin e Republikës, po kontribuojnë në bllokimin e institucioneve të saj. Dje pengohej zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit; sot bllokohet zgjedhja e Presidentit. Forma ndryshon, por logjika mbetet e njëjtë: ta mbajnë Kosovën në një gjendje të zgjatur pasigurie institucionale, derisa kalkulimi elektoral t’u japë shpresë për ta rritur numrin e votave dhe për ta formuar qeverinë.
Kjo nuk është më thjesht një mosmarrëveshje procedurale. Është një mënyrë për ta trajtuar Republikën si peng të kalkulimit partiak.
Dhe pikërisht këtu shfaqet dimensioni i “njeriut të masës” në politikë: kur interesi i ngushtë partiak ngrihet mbi interesin e përgjithshëm, kur procedura përdoret si instrument bllokimi dhe kur institucionet shihen jo si vlera të përbashkëta, por si mjete për të prodhuar një avantazh elektoral.
Njeriu që nuk pranon më të arsyetojë, të dëgjojë dhe t’i nënshtrohet një gjykimi që qëndron mbi interesin e tij të çastit, nuk kërkon më të drejtën; kërkon vetëm fitoren e vet.
Këtu qëndron dallimi thelbësor ndërmjet politikanit demokrat dhe njeriut kaqol.
Politikani demokratik e di se mund të gabojë. Prandaj argumenton. Dëgjon. Kundërshton. Negocion. Pranon kufizimet e veta. Njeriu kaqol, përkundrazi, nuk ndien nevojën të bindë përmes arsyes, sepse e konsideron bindjen e tij personale dhe duartrokitjen e turmës që e ndjek si provë të mjaftueshme të së drejtës së vet.
Njeriu i masës nuk është domosdoshmërisht ai që nuk di; është ai që nuk ndien nevojën të dijë më shumë. Ai nuk e përjeton paditurinë e vet si kufizim, por si privilegj. Nuk kërkon argumente, sepse bindjet e tij i konsideron të vetëkuptueshme. Nuk kërkon dialog, sepse e sheh kundërshtarin jo si bashkëbisedues, por si pengesë.
Dhe aty fillon rreziku i vërtetë. Jo kur dikush ka ide të gabuara. Por kur humbet vullnetin për t’i vënë ato ide përballë arsyes.
Një demokraci mund t’i mbijetojë edhe gabimeve politike. Mund t’i korrigjojë ato përmes zgjedhjeve, institucioneve dhe debatit publik. Ajo që e rrezikon seriozisht është krijimi i një kulture ku gabimi nuk pranohet më si mundësi njerëzore dhe kundërshtimi nuk shihet më si pjesë e demokracisë, por si armiqësi që duhet mposhtur me çdo mjet.
Prandaj, ajo që po shohim nuk duhet lexuar vetëm si episod parlamentar. Është simptomë e një krize të kulturës politike. Dhe kriza bëhet edhe më serioze kur, në këtë rend të përmbysur të vlerave, shfaqen zëra — madje edhe publikë — që e shpallin dhunën si prima ratio: jo më si dështim të politikës, por si mjet të pranueshëm të saj.
Kjo është pika ku njeriu kaqol pushon së qeni thjesht qesharak. Ai bëhet i rrezikshëm.
Sepse aty ku arsyeja tërhiqet, turma bëhet gjykatë; aty ku dialogu dështon, imponimi bëhet argument; dhe aty ku argumenti humbet vlerën, dhuna fillon të paraqitet si “zgjidhje”.
Prandaj beteja politike e një shoqërie demokratike nuk është vetëm mes partive. Është, në një kuptim shumë më themelor, beteja e arsyes kundër irracionalitetit, e dialogut kundër turmës, e institucionit kundër kaosit dhe e politikës si përgjegjësi publike kundër politikës si spektakël i instinktit.
Pikërisht për këtë, Kosova ka nevojë për një rikëndellje strategjike urgjente. Nuk mjafton më të reagojmë ndaj simptomave të krizës politike; duhet të rikthejmë në qendër vetë kulturën e Republikës: arsyen, institucionet, përgjegjësinë publike dhe dialogun si mekanizma themelorë të bashkëjetesës politike.
Sepse Demokracia dhe Republika duhet të shihen si një binom i pandashëm. Demokracia pa Republikën — pa institucione, pa rend kushtetues dhe pa autoritet të ligjit — rrezikon të degradojë në sundim të turmës. Ndërsa Republika pa demokraci shndërrohet në një formë të zbrazët institucionale, pa legjitimitet dhe pa shpirt qytetar.
Prandaj, rikëndellja strategjike e Kosovës duhet të nisë pikërisht këtu: me rikthimin e arsyes në politikë dhe të Republikës në qendër të kulturës politike.
Në fund të fundit, demokracia nuk vdes kur njerëzit kanë mendime të ndryshme.
Demokracia fillon të vdesë atëherë kur njerëzit nuk pranojnë më që mendimet e tyre t’i nënshtrohen gjykimit të arsyes.
Rruga Press

