KryesoreLajme

A është Ron Yeffet njeriu që Edi Rama po përgatit për Aeroportin e Vlorës?

Ndërsa priti më shumë se një vit që Belinda Balluku t’i mbaronte punë me aeroportin e Vlorës, Edi Rama vendosi të ndërhyjë vetë në konflikt duke marrë mbi supe barrën e vendimmarrjes anulimin e kontratës me MABCO. Qeveria ka nisur zyrtarisht procedurën për zgjidhjen e kontratës me kompaninë koncesionare, një vendim që e çon Shqipërinë drejt një arbitrazhi ndërkombëtar, ku Behgjet Pacolli ka paralajmëruar se do të kërkojë deri në 700 milionë euro dëmshpërblim.

Nëse kjo ndodh, do të ishte fatura më e madhe që një qeveri shqiptare rrezikon të prodhojë nga prishja e një kontrate, duke kaluar shumëfish edhe rastin Becchetti, ku shteti shqiptar u detyrua të paguante rreth 130 milionë euro.

Pikërisht këtu lind pyetja që deri tani ka mbetur pa përgjigje. Nëse koncesioni i hiqet MABCO-s, kush do ta marrë në administrim Aeroportin e Vlorës? Qeveria nuk ka bërë publik asnjë plan, por kronologjia e ngjarjeve të muajve të fundit ngre dyshime që nuk mund të anashkalohen.

Më 29 maj 2026 ministri Enea Karakaçi i dërgoi kompanisë koncesionare një ultimatum 30-ditor, duke paralajmëruar se kontrata mund të zgjidhej. Vetëm 13 ditë më vonë, më 11 qershor, u themelua kompania TIMAK AVIATION, ndërsa më 18 qershor ajo u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit. 

Lexo më shumë  Muja: “Vita” importoi rreth 1 milion kg vaj palme, disa produkte nuk janë qumësht. Paralajmëron prokurorinë: Do të dërgoj emra për rastin e produkteve të qumështit

Nuk është vetëm koha e krijimit të kompanisë që tërheq vëmendjen. Edhe objekti i saj i aktivitetit duket i ndërtuar posaçërisht për sektorin aeroportual. Sipas ekstraktit të QKB-së, TIMAK AVIATION nuk kufizohet te fluturimet charter apo transporti ajror, por parashikon menaxhimin e terminaleve, shërbimet “ground handling”, asistencën aeroportuale, si dhe projektimin, administrimin, mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e aeroporteve, heliporteve dhe infrastrukturës së aviacionit. Me fjalë të tjera, është një kompani që në letër ka pothuajse çdo aktivitet që nevojitet për të operuar një aeroport.

Edhe struktura e pronësisë nuk kalon pa u vënë re. Ekstrakti tregon se kompania zotërohet në masën 50% nga biznesmeni izraelit Ron Yeffet dhe 50% nga Arjeta Puca, ndërsa administratore është kjo e fundit.

Emri i Ron Yeffet nuk është i panjohur. Ai ka hyrë vitet e fundit në disa projekte strategjike në Shqipëri dhe konsiderohet si një biznesmen me marrëdhënie të afërta me qeverinë. Pikërisht për këtë arsye, krijimi i një kompanie me objekt kaq specifik vetëm pak ditë pasi qeveria nisi lëvizjet për prishjen e koncesionit të Aeroportit të Vlorës nuk mund të mos ngrejë pikëpyetje.

Lexo më shumë  Dehari: Pa marrëveshje politike, Kosova shkon drejt zgjedhjeve të reja

Natyrisht, deri në këtë moment nuk ekziston asnjë dokument zyrtar që të provojë se TIMAK AVIATION do të marrë Aeroportin e Vlorës. Nuk ka një vendim qeverie, nuk ka një procedurë të shpallur dhe nuk ka një kontratë që ta lidhë kompaninë me projektin. Por kjo nuk i zbeh faktet. Për më tepër që kohët e fundit ndaj biznesmenit Behgjet Pacolli nuk ka munguar interesi i kompanive të tjera, që janë afruar për t’ia blerë konçensionin, gjithnjë duke i bërë të qartë se ishte çështje kohe para se shteti të vepronte për prishjen e kontratës.

Si për çudi, ndërsa hetimet e SPAK janë shtrirë edhe ne dosje të tenderave të vegjël, me disa qindra mijëra euro, për këtë çështje që mban erë, prokuroria speciale është në vendnumëro. Nëse arbitrazhi ndërkombëtar i jep të drejtë Behgjet Pacollit dhe Shqipëria përballet me një tjetër faturë qindra milionëshe, kush do të mbajë përgjegjësi? Përvoja e deritanishme tregon se në Shqipëri pasi qeveria i prish kontratat, faturën e kripur të dëmshpërblimit e paguajnë taksapaguesit, ndërsa SPAK kthen kokën në anën tjetër.

YouTube player