KryesoreLajme

Veterani i luftës dhe politikani ukrainas kritika Zelenskit për Kosovën: “E neveritshme dhe turpëruese. Pështymë në fytyrën e një vendi mik”

Deklarata e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij në Beograd, se qëndrimi i Kievit zyrtar për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar, ka nxitur reagime të ashpra brenda vetë Ukrainës.

Politikani, veterani i luftës dhe bashkëthemeluesi i lëvizjes “Sëpata Demokratike”, Yuriy Hudymenko, e ka cilësuar këtë qëndrim si një vendim “shpëlarës dhe turpërues”.

Përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, Hudymenko ka shprehur keqardhjen e tij për deklaratën e kreut të shtetit ukrainas, duke vënë në pah ndihmën që Kosova i ka ofruar Ukrainës që nga fillimi i agresionit rus.

“Duket se para udhëtimit në Serbi, Presidenti Zelensky zgjodhi mes ‘të lehtës, por jomorales’ dhe ‘të vështirës, por të drejtës’, dhe bëri atë zgjedhje të cilën unë, si qytetar, e shoh si neveritëse dhe turpëruese. Sa shumë ka mundur Kosova t’i ndihmojë ukrainasit, ushtarakët dhe shpëtimtarët tanë, madje pa pasur as ushtrinë e saj. Veteranët e Kosovës komunikuan me veteranët tanë dhe i ndihmuan ata. Banorët e thjeshtë të Kosovës ndihmuan refugjatët dhe personat e zhvendosur”, ka shkruar Hudymenko.

Lexo më shumë  Kurti: Fuqia ndërkombëtare e Kosovës ndërtohet përmes partneriteteve dhe respektimit të normave

Ai ka artikuluar kritikën e tij ndaj udhëheqësisë ukrainase për injorimin e kësaj mbështetjeje në shkëmbim të afërsisë me Beogradin zyrtar.

“Dhe ne – për shkak të presidentit – u pështymë në fytyrë atyre, duke deklaruar se Kosova është pjesë e Serbisë, ‘vëllait të vogël të Rusisë’. Ndoshta diçka e rëndësishme ka mbetur jashtë kuadrit. Por në çdo rast, edhe pa këtë, mund të bënim pa i dhënë një shuplakë një vendi të vogël, por mik, që na ndihmoi në çdo mënyrë që mundi”, është shprehur tutje ai.

Në përmbyllje të reagimit të tij, politikani ukrainas u është drejtuar drejtpërdrejt qytetarëve të Kosovës, duke nëvizuar se qëndrimi i presidentit nuk përfaqëson domosdoshmërisht të gjithë popullin ukrainas.

Lexo më shumë  Deputeti ukrainas: Zelensky bëri një gabim diplomatik me deklaratën për Kosovën në Serbi

“Shpresoj se miqtë e mi nga Kosova e kuptojnë se fjalët e presidentit nuk janë gjithmonë opinioni i të gjithë vendit. Një ndjenjë e neveritshme”, ka përfunduar Hudymenko.

Situata e re diplomatike e krijuar nga deklarata e Zelenskyt erdhi pasi ai, gjatë qëndrimit në Serbi, konfirmoi se Kievi nuk e ndryshon pozicionin e tij karshi sovranitetit të Serbisë, duke e ndërlidhur këtë me respektimin e integritetit territorial të vetë Ukrainës, përfshirë gadishullin e Krimesë.

“Prandaj, qëndrimi ynë lidhur me atë që përmendët – shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës – mbetet i pandryshuar”, pati deklaruar Zelensky.

Rruga Press

YouTube player