KryesoreLajme

Protesta qytetare hyn sot në ditën e 59-të, qytetarët thirrje Ramës: Jep dorëheqjen!

Protesta qytetare hyn sot në ditën e saj të 59-të, ndërsa pjesëmarrësit kanë paralajmëruar se tubimet do të vijojnë edhe këtë të martë, duke këmbëngulur se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesës së tyre për largimin e kryeministrit Edi Rama.

Dita e 58-të e protestës u karakterizua nga një sërë tubimesh dhe marshimesh në pika të ndryshme të Tiranës. Qytetarët nisën protestën që në orët e mëngjesit para Kuvendit, ku kundërshtuan zhvillimin e seancës plenare.

Zona përreth Parlamentit u rrethua nga forca të shumta policie, ndërsa gjatë përpjekjeve të protestuesve për t’iu afruar godinës pati tensione me efektivët. Gjatë protestës disa persona u shoqëruan nga Policia.

Lexo më shumë  Arabia Saudite mbyll tubacionin kryesor të naftës, rrezikohen eksportet drejt Evropës dhe Azisë

Pas incidenteve para Kuvendit, protestuesit marshuan drejt Komisariatit nr. 1, ku kërkuan lirimin e personave të shoqëruar dhe kundërshtuan ndërhyrjen e forcave të rendit gjatë tubimit.

Në orët e pasdites dhe të mbrëmjes, protesta u zhvendos përpara godinës së Kryeministrisë, ku qytetarët mbajtën fjalime dhe shprehën kundërshtimin ndaj qeverisë. Gjatë tubimit u hodhën kritika edhe ndaj platformës “Besa”, të prezantuar së fundmi nga kryeministri Edi Rama, të cilën protestuesit e cilësuan si të pamjaftueshme për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre.

Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit zhvilluan marshimin e përnatshëm në rrugët e kryeqytetit, duke përsëritur thirrjet “Rama ik!”, “Dorëheqje!”, “Shqipëri e re” dhe “Revolucion”. Marshimi u zhvillua pa incidente.

Lexo më shumë  Hubert Perr: Ajo që Kosova ndërton për Lojërat Mesdhetare mund ta formësojë vendin për dekada

Qytetarët deklaruan se protesta tashmë ka një objektiv të vetëm, largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira, ndërsa theksuan se mobilizimi do të vazhdojë çdo ditë deri në realizimin e këtij qëllimi.

Edhe sot, në ditën e 59-të të protestës, pritet që qytetarët të mblidhen sërish në Tiranë, duke vijuar aksionin e tyre të përditshëm kundër qeverisë.

YouTube player