KryesoreLajme

“Shqiponjat” në vijën e parë! Autobotë me ujë, barriera metalike dhe gardh policor, çfarë po ndodh para Kuvendit të Shqipërisë

Masat e sigurisë janë shtuar ndjeshëm këtë të hënë përpara godinës së Kuvendit të Shqipërisë, ku pritet të zhvillohet protesta e radhës qytetare, në të njëjtën ditë me seancën e fundit parlamentare të këtij sesioni.

Në zonën përreth Parlamentit janë vendosur autobotë me ujë, barriera metalike dhe një gardh i gjerë policor, ndërsa dhjetëra efektivë të Policisë së Shtetit janë angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë. Në rreshtin e parë policorë ndodhen forcat “Shqiponja” dhe FNSH.

Lexo më shumë  KLSH rekomandoi shkarkimin e Pirro Vengut: Raporti zbulon mbi 8 mln euro të ardhura të munguara, 205 mijë euro dëm ekonomik dhe shkelje financiare milionëshe në Portin e Durrësit

Qytetarët kanë bërë thirrje të mblidhen në orën 08:30 përpara Kuvendit, duke e cilësuar protestën si një reagim ndaj asaj që e konsiderojnë shkëputje të institucionit nga interesat dhe shqetësimet e qytetarëve.

Tubimi i kësaj të hëne shënon ditën e 58-të të protestave qytetare, të cilat kanë vijuar pa ndërprerje, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se aksioni do të vazhdojë edhe pas përfundimit të sesionit parlamentar.

Ashtu si në protestën e 23 korrikut, edhe këtë herë autoritetet kanë marrë masa të shtuara sigurie për të shmangur incidentet dhe për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit.

Lexo më shumë  Një sprint i fundit për investitorët para kufizimeve të BE-së?

Protesta zhvillohet në një moment simbolik, kur Kuvendi pritet të mbyllë punimet e sesionit parlamentar, ndërsa qytetarët protestues synojnë të përcjellin mesazhet e tyre kundër klasës politike dhe funksionimit të institucioneve.

Rruga Press

YouTube player